Çfarë duhet të dini për Faljen fiskale 2026: Kush përfiton, cilat detyrime fshihen dhe afatet e vendosura.

Aktualitet

Çfarë duhet të dini për Faljen fiskale 2026: Kush

Administrata Tatimore ka publikuar detaje mbi zbatimin e ligjit të faljes fiskale, i cili synon të lehtësojë barrën financiare të tatimpaguesve përmes fshirjes ose shuarjes së detyrimeve të caktuara tatimore të papaguara.

Sipas ligjit, përfitues janë tatimpaguesit dhe subjektet e regjistruara në Administratën Tatimore, qofshin aktive, pasive apo të çregjistruara, me përjashtim të personave që janë dënuar me vendim të formës së prerë ose ndodhen në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe doganore.

Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë, duke përfshirë edhe gjobat dhe kamatëvonesat. Ndërkohë, për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, ligji parashikon falje të pjesshme të principalit dhe fshirje të plotë të gjobave e kamatëvonesave, në varësi të afatit të pagesës së pjesës së mbetur.

Për detyrimet e periudhës 2020–2024 do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që detyrimi kryesor të paguhet i plotë brenda afateve të përcaktuara nga ligji.

Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e një sërë gjobash administrative për mosdeklarime, deklarata të padorëzuara në afat, dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe raste të tjera të ngjashme të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.

Administrata Tatimore sqaron se për rastet që përfitojnë falje pa kushte, procesi do të kryhet automatikisht. Ndërsa në rastet kur përfitimi kushtëzohet me pagesë, falja do të zbatohet vetëm pas shlyerjes së detyrimeve brenda afateve ligjore.

Periudha e zbatimit të ligjit shtrihet nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa pagesat për përfitimin e faljes mund të kryhen duke filluar nga data 10 qershor 2026.

Tatimpaguesit që nuk përfitojnë nga ky ligj kanë të drejtë të ndjekin rrugët e ankimit pranë gjykatës administrative, sipas legjislacionit në fuqi.

https://www.instagram.com/p/DZXU1rBiJP2/?img_index=1

ME TE LEXUARAT