Falsifikonin vizat për 1500 euro duke u premtuar shtetësinë shqiptare emigrantëve, 3 në pranga

Aktualitet

Falsifikonin vizat për 1500 euro duke u premtuar shtetësinë

Tre persona kanë rënë në pranga pasditen e sotme nga policia për falsifikim të lejeve të qëndrimit dhe vizave për shtetasit e huaj në këmbim të 1500 eurove.

Mes të arrestuarve është edhe shtetësja D.Ç, 39 vjeçe e dyshuar si organizatore e grupit që vepronte në Tiranë.

Shtetasit D. Ç., 39 vjeçe, E. A., 32 vjeç dhe A. D., 36 vjeç, të tre banues në Tiranë u premtonin emigrantëve pajisjen me  leje qëndrimi shqiptare. 

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar "Visa”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Visa”, si rezultat i të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: D. Ç., 39 vjeçe, E. A., 32 vjeç dhe A. D., 36 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi shtetasja D. Ç. (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pasportë që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i dokumentave", “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave" dhe "Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur.

ME TE LEXUARAT