Dritani hedh poshtë akuzat: Nuk u kam marrë pronë prindërve. Motrës s’i takon asgjë

Një konflikt i ashpër familjar për një hotel me 26 dhoma ka marrë një tjetër rrjedhë në “Shihemi në Gjyq”, ku Dritani ka hedhur poshtë akuzat e motrës dhe prindërve se ka përvetësuar pronën përmes një akti noterial.
Ai deklaroi se pasuria është ndërtuar vetëm me kontributin e tij dhe të prindërve, duke theksuar se motrës së tij, Miljanës, nuk i takon asgjë pasi ka investuar te familja e saj.
Dritani mohoi kategorikisht pretendimin e të motrës për një shumë prej 80 mijë paundësh, duke sqaruar se investimi u ngrit mbi kursimet e tij dhe një kredi bankare.
Në fund, ai garantoi se prona nuk ka kaluar në emrin e tij, duke u shprehur i gatshëm t’ia kalojë të atit nëse vërtetohet e kundërta.
Eni Çobani: Pasuria sot është e Vangjelit apo e juaja?
Dritani: Pasuria aktualisht është e investuar nga mamaja ime, nga babai im dhe nga unë.
Eni Çobani: Po motra, nuk ka pjesë?
Dritani: Motra nuk ka asnjë lloj pjese, sepse motra ka investuar te familja e saj dhe te burri i saj. Motra është martuar që në vitet ’90. Kemi qenë të dyja familjet në emigracion. Babai im, unë dhe mamaja ime kemi punuar për këtë investim, kurse motra ka punuar për investimin te familja e saj dhe burrin e saj. Ajo ka bërë pasurinë e saj.
Eni Çobani: Pretendimi i saj është që ka dhënë një shumë të konsiderueshme, prej 80 mijë paundësh për ngritjen e këtij hoteli.
Dritani: Motra ime nuk ka dhënë asnjë lekë, këto janë pretendimet e saj. Ne kemi marrë vetëm një kredi bashkë me prindërit e mi dhe me bashkëshorten time. Ke4mi vazhduar biznesin. Kontrata që kam bërë unë para disa kohësh te noteri është për të zhbllokuar hipotekën sepse e kemi pasur garanci dhe që unë të marr pjesën time nga prindërit e mi.
Eni Çobani: Ju sot keni marrë pjesën tuaj nga hoteli?
Dritani: Nuk kam marrë asnjë lloj gjëje. Unë jam në rrugën e gjykatës, sepse prindërit e mi nuk po më japin as pjesën time. Sulmet janë të shumta. Unë kam bërë lekët, transferimi nga një bankë në një bankë tjetër për të zhbllokuar hipotekën, jo se kam kredi të dytë. Kanë qenë kursimet e mia.
Eni Çobani: Domethënë sot prona vazhdon që të jetë në emër të Vangjelit? Ta qetësojmë nënën dhe babain, nuk keni kaluar asnjë gjë në emrin tuaj?
Dritani: Nëse prona ka kaluar qoftë edhe vetëm 1% te emri im, unë të jap fjalën që, që nesër ia kaloj babait.


