Banorët e Orikumit ngrihen në protestë, kërkojnë statusin e bashkisë! Meta: I mbështes plotësisht, dështim total shkrirja me Vlorën!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e banorëve të Orikumit, e cila u zhvillua dje, të cilët kërkojnë rikthimin e statusit të bashkisë për Orikumin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta e cilësoi kërkesën e banorëve të Orikumit si “plotësisht legjitime”, ndërsa kritikoi bashkimin e Orikumit me Bashkinë e Vlorës.
Sipas Metës, faktet kanë provuar “dështimin total” të këtij organizimi, ndërsa theksoi potencialet që ka Orikumi për zhvillimin ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.
“Potencialet për zhvillimin e Orikumit, që të jetë bashki më vete, janë të jashtëzakonshme, nga turizmi malor te ai bregdetar, që mund të krijojnë mirëqenie dhe vende pune për mijëra familje”, shkruan Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë kritikoi gjithashtu Bashkinë e Vlorës për problematikat që, sipas tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura, duke përmendur ujin e pijshëm, menaxhimin e mbetjeve urbane dhe shërbimet bazë për qytetarët.
Meta deklaroi se Orikumi nuk duhet të trajtohet më si “aneks i Vlorës”, ndërsa e lidhi kërkesën e banorëve të Orikumit me alternativën e opozitës për rikthimin e 100 bashkive.
“Alternativa e opozitës për rikthimin e 100 bashkive është rruga e vetme për t’iu kthyer shërbimet më pranë qytetarëve dhe për t’i dhënë fund rrëmbimit të pushtetit vendor dhe financave të tij”, shprehet ai.
Në postimin e tij, Meta përmendi edhe banorët e Selenicës, duke i bërë thirrje që të mbrojnë Bashkinë e tyre nga një bashkim i mundshëm me Bashkinë e Vlorës.
Në fund, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka kontrollin “de facto” të Bashkisë së Vlorës dhe se është i fokusuar te tokat në bregdet dhe betonizimi i tyre. Meta përmendi gjithashtu shkarkimin e mbi 15 drejtorëve të Kadastrës, e cila sipas tij bëhet pikërisht për këtë arsye, betonizimin e bregdetit.


