Asamble e ministra me short për 12 muaj në vend të Parlamentit e Qeverisë aktuale, çfarë fshihet pas 5 kërkesave të protestuesve që lexoi Dritan Goxhaj

Aktualitet

Asamble e ministra me short për 12 muaj në vend të Parlamentit e

Pas 23 ditësh në bulevard përpara kryeministrisë dhe në rrugët e Tiranës, protestuesit dolën me një listë me pesë kërkesa politike, të cilat u lexuan nga Dritan Goxhaj, ish pjesëmarrës në luftën e Kosovës, i shfaqur në disa emisioneve televizivë në Tiranë e së fundmi aktiv në tubimet jopartiake.

Ai propozon mbledhjen e asaj që e quan Asambleja Kombëtare e Tranzicionit e përbërë nga qytetarë pa të shkuar politike në drejtim të partive, apo mbajtës të funksioneve të larta në pushtetin qendror dhe atë vendor.

Si pikë e dytë e këtij plani është që emrat e propozuar, nga ata që kanë kontribute në fushën e arsimit, mjekësisë, artistike, bujqësi etj, të bëhet një short në sytë e të gjithë publikut për të zgjedhur 101 prej tyre, të cilët do të formojnë Asamblenë Kombëtare.

Kjo Asamble do të ketë një mandat 12 mujor dhe nga përbërja e saj do të zgjedhë një qeveri, e cila do të merret vetëm me menaxhimin e nevojave bazë të qytetarëve, pa hyrë në tendera e kontrata.

“Detyrat e Asamblesë: Të emërojë po me zgjedhje me short nga profesionistë të fushës një Qeveri Tranzicioni 12 mujore; Të hartojë një Kushtetutë të Re; T’ia paraqesë popullit në referendum; Nëse miratohet, të organizojë zgjedhjet e para të lira sipas kësaj Kushtetute; Pastaj të shpërndahet”, thuhet në planin e paraqitur para disa ditësh nga vetë Goxhaj në rrjetet sociale.

Plani i propozuar nga Dritan Goxhaj për Asamblenë Kombëtare të Tranzicionit

Por si funksionon:

Hapi 1: Propozimi i emrave

Çdo qytetar propozon emra njerëzish që nuk kanë qenë pjesë e sistemit 36-vjeçar, me kritere të qarta përcaktuese ku mund të jenë: të mos kenë qënë kryetar partish e kryetar degësh partie. Të mos kenë mbajtur detyra të larta në institucionet e qeverisjes qëndrore dhe vendore (Ministra; Zv/ministra; Sekretar të përgjithëshëm e drejtor drejtorish, kryetar bashkie e anëtar këshillash bashkiak e qarku, deputet) dhe që kanë kontribuar në fushën e tyre për shtetin e për Atdheun (mësues, mjekë, punëtorë, artistë, bujq, etj).

Hapi 2: Shorti, jo zgjedhjet

Nga kjo listë, me short të pastër (para publikut e para kamerave, me vëzhgues vendor e ndërkombëtarë) zgjidhen 101 persona.

Pse short dhe jo zgjedhje?

Sepse zgjedhjet krijojnë fushatë, fushata krijon para, paraja krijon lidhje, lidhja krijon korrupsion.

Shorti është i pastër. Shorti nuk mund të manipulohet. Shorti nuk krijon liderë.

Hapi 3: Mandati i shkurtër dhe i kufizuar

Kjo Asamble qëndron për 12 muaj. Pastaj shpërndahet. Me kusht që çdo anëtar i kësaj Asambleje nuk mund të kandidojë në zgjedhjet që organizon. Askush nuk mund të qëndrojë më shumë se 12 muaj.

Detyrat e Asamblesë:

Të emërojë po me zgjedhje me short nga profesionistë të fushës një Qeveri Tranzicioni 12 mujore

Të hartojë një Kushtetutë të Re.

T’ia paraqesë popullit në referendum.

Nëse miratohet, të organizojë zgjedhjet e para të lira sipas kësaj Kushtetute.

Pastaj të shpërndahet.

Qeveria e Tranzicionit të ketë për detyrë vetëm të manaxhojë Shqipërinë për këto 12 muaj, e të kujdeset për dritat, ujin, taksat, doganat, policinë, ushtrinë, arsimin e shëndetësinë. Pa kopetenca për të realizuar tendera e nënshkruar kontrata, thjesht një qeveri manaxhuese deri në zgjedhjet e ardhëshme, dhe ku anëtarët e saj të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet që ajo do organizojë.

ME TE LEXUARAT