Arrestohet 27-vjeçari në Korçë, po transportonte 11 emigrantë të paligjshëm, policia jep detajet

Policia e Korçës ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili u kap duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm. Në kërkim janë shpallur dy bashkëpunëtorë të tij.
Policia njofton se në pranga, në kuadër të operacionit “Borders” ka vënë shtetasin J. S., 27 vjeç, banues në Tepelenë.
Ndërsa në kërkim u shpallën shtetasit F. S., 31 vjeç, banues në Fier dhe G. H., 58 vjeç, banues në Lushnjë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, duke i transportuar me automjet, kundrejt pagesës.
Shtetasi J. S. u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në fshatin Drenovë, Korçë, duke transportuar me automjet drejt Shkodrës, 11 shtetas të huaj (10 nga Bangladeshi, 1 nga Pakistani), të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga Kapshtica, dhe synonin të kalonin ilegalisht në Malin e Zi.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.


