A po manipulohet situata në Santorini? Shqiptari flet nga ishulli: Ja e vërteta!
Ishulli grek Santorini është goditur ditët e fundit nga një numër i madh tërmetesh, duke shkaktuar panik te qindra banorë por edhe turistë.
Mes shumë qytetarëve grekë dhe turistëve të huaj në ishullin e Santorinit ka edhe një komunitet shqiptarësh që prej vitesh jetojnë dhe punojnë atje.
Shqiptari Niko Topuzi i cili ndodhet në Santorini, ka treguar më tepër detaje se si paraqitet situata atje. Topuzi është shprehur se tërmeti më i fuqishëm është regjistruar një natë më parë me magnitudë 5.2 ballë duke e bërë atë më të fuqishmin në ditët e fundit.
"Mbrëmë ka qenë lëkundja më e madhe 5.2 dhe sot në mëngjes ka pasur shumë lëkundje. Por në përgjithësi është normale. Këtu sizmiologët thonë duhet të regjistrohen deri në 1 mijë lëkundje që të ndalojë aktiviteti sizmiologjik por nuk ka ndikim tek shpërthimi i vullkanit”, tha Topuzi për ReportTv.
I pyetur nëse është i vërtetë lajmi që qarkullon në media që pas tërmeve Ishulli është braktisur për shkak të frikës, Topuzi shprehet se janë larguar familjet që janë me fëmijë por shumë të tjerë kanë qëndruar.
Ai shton se edhe vetë ai nuk ka ndërmend të largohet.
"Kanë lëvizur por ishulli nuk është fantazëm. Mbrëmë kanë ardhur 20 turistë. Shkollat janë mbyllur. Kanë ikur kryesisht familjet që kanë fëmijë dhe gra sepse kanë frikë por unë nuk e kam ndërmend të largohen. Santorini është ishull sizmik. Edhe në 2011 – 2012 ka qenë një situatë e ngjashme por unë besoj se është pompuar nga mediat. Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë. Shfaqin pamje që nuk ekzistojnë", thotë Topuzi.