Kosova u hapi dyert/ Te prekurit nga termeti kthehen vullnetarisht ne shtepi

Aktualitet

VLORË- Të strehuarit e tërmetit në Prizren po kthehen vullnetarisht në Shqipëri. Deri më tani rreth 70 shtetas nga Durrësi janë larguar nga Prizreni, ndërsa kthimi i këtyre personave është bërë në mënyrë të organizuar me autobusë, nën mbikëqyrjen e policisë së Kosovës. Në ish-kampin e KFOR-it Gjerman dhe sallën e sporteve të gjimnazit “Gjon Buzuku” të qytetit të Prizrenit, aktualish ndodhen rreth 450 të prekur nga tërmeti, ndërsa kthimi i tyre pritet të ndodhë ditëve në vijim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ne po ikim me dëshirën tonë. Faleminderit shumë prej popullit të Prizrenit. Na kanë respektuar. Shumë mirë. Për të ngrënë për të pirë. Dhe po kthehemi në shtëpitë tona. Me siklet”, thanë qytetarët.

Ndërkohë edhe në Vlorë, mjaft persona të cilët ishin akomoduar në hotelet e Vlorës, janë larguar drejt vendbanimeve të tyre. Aktualisht në këtë qytet të akomoduar janë vetëm 141 persona nga rreth 1400 persona që u akomoduan në ditët e para pas tërmetit. Qytetarët të vendosur në Vlorë, thonë se në qytetin bregdetar janë ndjerë mjaft mirë dhe falenderojnë mikpritësit.

“Ndihemi shumë mirë. Nuk më ka munguar gjë. Për pritje ja kam kaluar më mirë se tek shtëopia ime. Na kanë mirëpritur jashtë mase. Edhe kur të iki do i telefonoj. Do t’i kemë si fëmijët e mi. Stafi është i mrekullueshë”, thanë qytetarët durrsakë.

Ndërkohë, kryebashkiaku, Dritan Leli, konfirmon se numëri i të prekurve nga tërmeti që qëndrojnë në Vlorë është reduktuar ndjeshëm, ndërsa thekson se qytetarëve të mbetur në hotele po ju ofrohet ndihma dhe asistenca e duhur.

“Në ditët e pikut u akomoduan 1400 persona në hotelet e qytetit. Shërbimi ka qenë në mënyrë perfekte. Funksioni i çdo gjëje ka qenë si një sahat. Çdo gjë që kanë kërkuar qytetarët është garantuar nga shtabi i emergjencës me mbështetje të institucioneve dhe normalisht të bashkisë së Vlorës e cila ka kordinuar shpërndarjen e njerëzve dhe plotësimin e nevojave të tyre. Ishte një ndërrmarje e jashtëzakonshme me një mobilizim qytetarë për t'u pasur zili”, tha kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.

Tërmeti 6.4 i shkallës riter, që tronditi Shqipërinë me 26 nëntor, la pas 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale, duke lënë në qiell të hapur me qindra qytetarë.

ME TE LEXUARAT