Politika

Termeti/ Luan Rama: Humben jeten 51 qytetare, a e ka kuptuar Prokuroria pergjegjesine qe ka?

 

TIRANË
Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama i ka drejtuar disa pyetje prokurorisë në lidhje me tërmetin e 21 shtatorit, atë të 26 nëntorit dhe pasojat fatale që sollën shembja e pallateve dhe banesave. Në një postim në “Facebook”, Luan Rama shkruan se para se të solidarizohet me të prekurit nga tërmeti, Prokuroria duhet t’u tregojë shqiptarëve më së pari se a janë hetuar shkaqet e pasojave e tërmetit të 21 shatorit 2019, dhe nëse po, çfarë rezultoi nga ai hetim.

Ai i kërkon të shpjegojë se përse lajmi për nisjen e hetimit i shpërndarë nga vetë prokuroria, na bën me dije se vetëm sot, pra 6 ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, kanë nisur kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Ai kërkon nga prokuroria të dijë nëse është siguruar ruajtje e vendngjarjeve dhe a i ka evidentuar dhe dokumentuar prokuroria të gjitha vendngjarjet dhe nëse po, mund të na thotë se sa të tilla ka?!

E në fund pasi i kujton 51 viktimat dhe të plagosurit, Luan Rama pyet a e ka kuptuar realisht prokuroria peshën reale të përgjegjësisë që ka?!

POSTIMI I PLOTË
Një lajm i panevojshëm i prokurorisë dhe lajmi i vërtetë i munguar prej saj!
Pak më parë lexova në Balkanweb një lajm sipas të cilit: “Prokuroria e Tiranës solidarizohet me të prekurit nga tërmeti, mbledh një shumë monetare nga të gjithë punonjësit”.

Pa dashur të paragjykoj e me shpresë se ky gjest solidarësie ka ardhur prej vetë punonjësve të prokurorisë e nuk është bërë me urdhër, (siç po veprohet nëpër disa ministri dhe institucione të tjera ku punonjësit që paguhen prej buxhetit të shtetit janë urdhëruar të nënshkruajnë deklarata për lënien e një pjese të pagës së tyre në ndihmë të zhdukjes së pasojave të tërmetit), e quaj të tepërt publikimin e këtij lajmi, pasi edhe në pikëpamje profesionale nuk është lajm. Ndërsa në planin etik nuk është e nuk është.

Tjetër lajm duhet t’u bëjë me dije qytetarëve Prokuroria e Tiranës e bashkë me të edhe Prokuroria e Përgjithshme.
Dhe më konkretisht, Prokuroria duhet t’u tregojë shqiptarëve më së pari se a janë hetuar shkaqet e pasojave e tërmetit të 21 shatorit 2019, dhe nëse po, çfarë rezultoi nga ai hetim?

Cilat ishin shkaqet dhe nese shkaqet nuk ishin vetëm natyrore, pra që nuk lidheshin vetëm me tërmetin, çfare masash u morën?! A rezultoi ndonjë person përgjegjës?
Dhe nëse po, sa e cilët ishin përgjegjësit e çfarë u bë me ta?

A ka konstatuar prokuroria gjatë hetimit të vet (gjithnjë nëse ka patur një të tillë?!) mosveprim të strukturave të shtetit e drejtuesve të tyre pas tërmetit të 21 shtatorit?

E mandej, prapë më parë se të na tregojë se “solidarizohet me të prekurit nga tërmeti, e mbledh një shumë monetare nga të gjithë punonjësit”, të na shpjegojë se përse lajmi për nisjen e hetimit i shpërndarë nga vetë prokuroria, na bën me dije se vetëm sot, pra 6 ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, kanë nisur kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore.

I njejti lajm na bën me dije gjithashtu se “hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve”.

Sipas kësaj logjike dhe arsyetimit që lind, nuk do të duhej që hetimet të kishin nisur që në orën 05.00 të mëngjesit të 26 nëntorit, pra menjëherë sapo ra tërmeti dhe u shfaqën pasojat e para të tij, siç e imponon Kodi i Procedurës Penale?

Dhe më tej akoma, a është siguruar ruajtje e vendngjarjeve, meqë afërmendsh, kemi të bëjmë edhe me vende krimi?! A i ka evidentuar dhe dokumentuar prokuroria të gjitha vendngjarjet dhe nëse po, mund të na thotë se sa të tilla ka?!

Kanë humbur jetën 51 qytetarë, janë shuar përfundimisht poshtë rrënojave të ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti familje të tëra e janë plagosur mbi njëmijë qytetarë të tjerë, pa folur për dëmet materiale e psikologjike që kanë prekur edhe shumë më shumë të tjerë!

A e ka kuptuar realisht prokuroria peshën reale të përgjegjësisë që ka?!
Nëse po, le të na thotë pra më parë se çfarë ka bërë e ç’rezultat kanë dhënë hetimet e pasojave të tërmetit të 21 shatorit, që t’i besojmë se po heton realisht dhe me përgjegjësi edhe shkaqet e dëmeve të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Ky është solidarizimi që presin të prekurit nga tërmeti prej prokurorisë, e të prekur në këtë rast janë të gjithë qytetarët shqiptarë. E sa për atë shumën që kanë mbledhur dhe që e bënë lajm, faleminderit, sado që ndera nuk përmendet e nuk ka nevoj për lajmës!

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close