Ekspertët izraelitë zbresin në Tiranë, gazetari “ngacmon” zv.ministrin: Do përgjojnë?

Politikë

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë platformën “Anti-KÇK” për të luftuar krimin e organizuar. Si pjesë e paketës pritet të krijohet edhe një strukturë e posaçme që do të zhvillojë betejën në terren.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri publike këtë të hënë detaje të reja rreth kësaj pakete. Ai deklaroi nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se pjesë e grupit të punës do të jenë edhe ekspertë izraelitë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas Lamallarit, ata do të fokusohen në pjesën e implementimit të platformës së re. Zv/ministri deklaroi se e ashtuquajtura super policia do të jetë gati shumë shpejt.

Besfort Lamallari: Është punuar intensivisht për gati një muaj nga grupi i punës. Në nivel politik janë dhënë të gjitha rekomandimet, janë bërë takimet e punës me ekspertë si ata që janë të pranishëm në Shqipëri, por edhe me izraelitë.

Blendi Fevziu: Izraeli? Çdo Izraeli këtu?

Besfort Lamallari: Me ekspertë izraelitë të cilët do të asistojnë si në aspektin ligjor, si në aspektin e implementimit të kësaj pjese.

Blendi Fevziu: Pra ligji është gati?

Besfort Lamallari: Është bërë një punë e mirë, e madhe dhe të hënën do të prezantohet.

Blendi Fevziu: Kur do të miratohet ky ligj?

Besfort Lamallari: Aty është në diskutime. Janë disa konsultime që janë bërë.

Blendi Fevziu: Ekspertët e Izraelit çfarë do bëjnë këtu? Do marrin pjesë në aksion apo vetëm në hartimin e ligjit?

Besfort Lamallari: Jo, jo. Kryesisht do të fokusohen edhe në pjesën e implementimit.

Blendi Fevziu: Do të fokusohen edhe në pjesën e implementimit. Pra do të ketë ekspertë izraelitë që do të marrin pjesë në aksione, në terren?

Besfort Lamallari: Jo.

Blendi Fevziu: Apo do përgjojnë se izraelitët janë të parët në botë për përgjime?

Besfort Lamallari: Është e rëndësishme të kuptojmë se krahas informacioneve që një agjenci ligjzbatuese mbledh, momenti më i rëndësishëm është se çfarë bëhet me këtë informacion. si përpunohet ai, si ndërtohen në grafik, për të marrë të dhëna.

Blendi Fevziu: Kur sipas jush policia do të jetë e gatshme për të ndërhyrë?

Besfort Lamallari: Shumë shpejt. Nga momenti që kjo hyn në fuqi. Një javë ose dy javë. /tvklan

ME TE LEXUARAT