Sulmohen me arme zjarri truprojat e Feros

Kosovë&Rajon

I ashtuquajturi Lila, dyshohet se natën e 18 nëntorit ka shtënë me armë zjarri pranë fitnesit “Parajsa” në lagjen “Dardania 1” të Gjilanit. Ai dyshohet të ketë shtënë në drejtim të Shqiprim dhe Shpresim Xheladinit, të dy vëllezër.

Burime të Gazetës Insajderi, kanë thënë se ky rast nuk është kriminal por ka ndodhur për motive të ulëta dhe shumë banale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shaban Azizi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit ka thënë për Gazetën Insajderi se lidhur me këtë rast janë arrestuar gjashtë persona dhe janë konfiskuar tri revole.

“Janë arrestuar gjashtë persona, të cilët janë në ndalim dhe i kemi konfiskuar tri pistoleta dhe rasti ka mbetur vetëm të procedohet në prokurori dhe pastaj tek ne që të përfundohet”, ka thënë Azizi për Insajderin.

Ndërsa Gazeta Insajderi, mëson se vëllezërit Shqiprim dhe Shpresim Xheladini, janë mbrojtja e afërt e reperit kosovar Fero.

Këta dy të fundit janë edhe sigurim në disa kafiteri në Gjilan.

Por kush është Lila?

Lila i cili po dyshohet se ka shtënë mbi dy të lartpërmendurit është nipi i Feriz Qerimit i njohur me nofkën “Feriz Llovca”, i dënuar së paku me pesë vite burgim për rrëmbim të dëshmitarëve, armëmbajtje pa leje dhe organizim kriminal, derisa është vrarë në vitin 2009.

Feriz Qerimi (Llovca) i përket grupit të Shefqet Musliut, një ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB).

Derisa prokuroria në vitin 2003 kishte ngritur aktakuzë kundër Shefqet Musliut, Besim Tahirit, Jeton Arifit dhe Feriz Qerimit-Llovcës, për veprat penale rrëmbim i dëshmitarëve, tentim detyrimi, armëmbajtje pa leje dhe organizim kriminal.

Por “Llovca” ishte vrarë më 3 dhjetor, dhjetë vite më parë te Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan në rrethana ende të panjohura.

Ndonëse “Llovca” ishte dënuar për raste kriminale, për të parin e Gjilanit, Lutfi Haziri, ai ishte hero, me ç’rast Haziri kishte organizuar komemoracion për të.

“Vrasja e Ferizit dhe të shumë veprimtarëve të tij duhet të zbardhet, drejtësia duhet të vendoset në vend. Fatkeqësisht ai humbi jetën në lirinë e Kosovës. Duhet të zbardhen vrasjet sepse ata mund të pushojnë të gjithë të qetë dhe atëherë mund të themi se e kemi mbërri qëllimin për atë që ata kanë luftuar”, kishte deklaruar Haziri asokohe.

ME TE LEXUARAT