Dvorani reagon per kallezimin e Metes: Presidenti ka dite qe po me shantazhon

Aktualitet

Kryetrari i KED Ardian Dvorani ka reaguar ne lidhje me kallezimin e presidentit Ilir Meta duke i cilesuar deklaratat e kreut te shtetit si shantazh:

Gjatë gjithë këtyre ditëve, zoti Ilir Meta ka vijuar të adresojë akuza të panumërta në drejtimin

lidhur me veprimtarinë time si anëtar dhe Kryetar i KED, por edhe në drejtim të personit tim,

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

njëkohësisht pa treguar asnjë kujdes elementar në përdorimin e gjuhës dhe epiteteve në

komunikim dhe ndaj tjetrit, sikurse e kërkojnë jo vetëm normat elementare të etikës

institucionale, por edhe ato të edukatës qytetare. Madje është bërë e vështirë të dallosh nëse

sjelljet dhe deklarimet e tij bëhen nga shtetasi Ilir Meta apo Presidenti i Republikës, që sipas

Kushtetutës dhe me dinjitet duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.

Megjithatë, jo vetëm për shkak të formimit tim profesional dhe edukatës qytetare, por duke

qenë se jam funksionar publik, në detyrën e anëtarit dhe Kryetarit të KED, nisur edhe nga

statusi i gjyqtarit, kam detyrimin kushtetues dhe ligjor të jem i vetëpërmbajtur dhe i kujdesshëm

në komunikimin publik.

Nga ana tjetër, duke qenë se më përfshin në këtë histori dhe fushatë të tijën për arsye e motive

që nuk më përket mua t’ia përmend e vlerësoj, por që gjithsesi ai i lidh me ushtrimin e

funksioneve dhe të detyrës time shtetërore, kam edhe detyrimin që në masën, kohën dhe vendin

e duhur të bëj transparente qëndrimin tim mbi të vërtetën dhe interpretimin e zbatimit korrekt

e të drejtë të Kushtetutës dhe të ligjit. Këtë qëndrim e kam shprehur qartë në njoftimet publike

të datës 14 dhe 15 Nëntor. Ndryshe nga Presidenti unë nuk mendoj se ai ka një status të veçantë

dhe të privilegjuar për të thënë fjalën e fundit mbi interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe

të ligjit. Po kështu edhe bindjet dhe dëshirat e tij nuk ka se si të jenë detyruese për institucionet

e tjera. Regjimi demokratik ku jetojmë ka ndarje pushtetesh, ka institucione kushtetuese të

pavarura nga njëri tjetri, ka funksionarë shtetërorë që kanë jo vetëm të drejtën, por edhe

detyrimin kushtetues e ligjor të shprehen, të mbajnë qëndrime dhe të veprojnë vetëm sikurse

ua kërkon detyra shtetërore.

Ditën e sotme, për aq sa është e mundur të përcillet nëpërmjet medias, jam njohur me kallëzimin

penal që Presidenti i Republikës ka paraqitur pranë organit të prokurorisë. Në fakt, ka ditë që

në mungesë qetësie dhe me tone të larta e kërcënuese e paralajmëronte këtë nismë, e cila, në të

vërtetë përbën një detyrim kushtetues dhe ligjor që ai, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur

mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale.

Sikurse jam shprehur publikisht edhe më parë, unë si çdo shtetas, por edhe si çdo funksionar

tjetër shtetëror, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.

Prandaj, ndryshe nga sa ndodhi edhe sot, ku rëndom si herë të tjera publiku është mësuar që të

shikojë funksionarë të lartë publikë e politikë që e shesin për heroizëm përpara kamerave dhe

mikrofonave mediatikë paraqitjen përpara prokurorit e gjykatës, që në fakt është detyrim ligjor

dhe jo zgjedhje e tyre, unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë

për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur

me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi.

Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky

kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe

veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do

të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai.

Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia,

qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që

jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit. Por akoma

më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme

të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional

të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave,

afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar

normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre

kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të

Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo

vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i

Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por

edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për

të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë

penale.

Në lidhje me këto aspekte të interpretimit korrekt të Kushtetutës dhe të ligjit vlerësoj edhe se

nuk ka asnjë reflektim dhe gjykim racional sikurse ia kërkon detyra nga ana e Presidentit.

Madje vërej se kjo po ndodh edhe nga ana e një pjesë të atyre që marrin përsipër të debatojnë

publikisht, ndonëse tashmë interpretimi korrekt i Kushtetutës dhe ligjit është bërë i qartë dhe

është shpjeguar në mënyrë të përsëritur nga çdo anë.

Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese

i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë

të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë

transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e

meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen

e gjyqtarëve kushtetues. Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit

Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën eskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të

kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen. Edhe për këtë arësye,

përbën jo vetëm një të drejtë, por edhe detyrim ligjor për mua të mbroj autoritetin dhe

kompetencat që Kushtetuta i njeh KED dhe kryetarit të tij e të kërkoj nga kushdo, pa asnjë

dallim, që të respektojë këtë autoritet kushtetues. Aq më tepër, kur këto ditë, ka përpjekje për

të cenuar e deligjitimuar, me një qasje dukshëm diversive fillimisht veprimtarinë time si kryetar

i KED, por tashmë edhe në tërësi veprimtarinë e jashtëzakonshme që ka zhvilluar dhe po

zhvillon intensivisht KED gjatë gjithë këtij viti si edhe vendimarrjet kolegjiale të tij, në kushtet

kur burimet njerëzore dhe administrative, për arsye objektive kanë qenë dhe mbeten tejet të

kufizuara.

Gjithsesi, për sa i përket këtij kallëzimi, të deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe

shantazhuese prej kaq ditësh, të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të

fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Detyrimi

im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre.

Së fundi, duke qenë se krahas detyrimeve proceduale më duhet të respektoj edhe parimet e

transparencës dhe të informimit publik, sigurisht që ky nuk do të jetë komunikimi im i fundit

me publikun për këtë çështje.

ME TE LEXUARAT