“Zëri i Amerikës”: Kaos me Kushtetuesen, dy emra për një post, nuk ka rrugëdalje!

Aktualitet

Emërimi sot pasdite i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e fut në kaos procesin e krijimit të organit më të lartë ligjor në Shqipëri.

Presidenti Meta e bëri emërimin e anëtares së re në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij kushtetuta. Presidenti e argumentoi vonesën me një nen tjetër, po të kushtetutës, ku përcaktohet rendi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij neni: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por sipas shumicës socialiste, ky interpretim i presidentit nuk është i vlefshëm, pasi neni për rendin e emërimeve, sipas saj, lidhet me ripërtëritjen çdo tre vjet të anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo të jetë krijuar. Shumica po ashtu argumenton se veprimi i presidentit për të pezulluar emërimin, në pritje të veprimit të parlamentit, nuk është i bazuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Meqë presidenti nuk veproi deri më 7 nëntor, kur i skadoi afati 30 ditor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsideroi se Kreu i Shtetit nuk ushtroi kompetencën e tij, e për pasojë, siç përcakton ligji, automatikisht, shpallet i emëruar kandidati i pari në listë, që ishte zonja Arta Vorpsi.

Pas veprimit të sotëm të presidentit, për të njejtin vend të Gjykatës Kushtetuese tani janë dy anëtare, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari.

Emri zonjës Vorpsi u shpall në fletoren zyrtare, megjithatë ajo nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek presidenti Meta. Në bazë të vendimit të sotëm, presidenti Meta pritet të thërrasë për të bërë betimin zonjën Xhaferllari. Është ende e paqartë nëse emërimi i saj do të shpallet në fletoren zyrtare apo jo.

Në të gjithë këtë kaos, duket se nuk ka rrugëdalje, përsa kohë, Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ mbi institucionet e tjera, është vetë, ende jashtë funksionit./VOA

ME TE LEXUARAT