Politika

Pjetri jep gjurmët e gishtërinjve, mësoni çfarë ndodhi në Shkodër

Valdrin Pjetri depoziton gjurmët e gishtërinjve në laboratorin shkencor pranë Ministrisë së Brendshme.

Kërkesa ishte bërë që në datën 9 gusht nga Drejtoria e Dekriminalizimit, e cila kërkon verifikimin dhe hetimin e të zgjedhurit vendor në 30 Qershor në Shkodër.

Pjetri kishte afat 5 ditë që nga marrja e dijenisë, për kërkesën e prokurorisë, ndërsa vetëm sot ai është paraqitur pranë laboratorit të kriminalistikës për të kryer procedurat konkrete në lidhje me të shkuarën e tij në Itali.

Drejtoria e Dekriminalizimit u vu në lëvizjë në fillim të muajit gusht pas një kërkesë-padie që Partia Demokratike depozitoi pranë organit qendror të akuzës. Bashkë me padinë, juristët e PD-së dorëzuan edhe vendime të Prokurorisë Italiane që sipas tyre vërtetojnë dënimin me 18 muaj burg për trafik narkotikësh nga ana e Valdrin Pjetrit vite më parë.

Kurse Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël konstituan këshillin bashkiak të Shkodrës paraditen e së hënës, ndërkohë që qindra mbështetës të Partisë Demokratike protestuan para Prefekturës dhe u përplasën me forcat e policisë në hyrje të bibliotekës së universitetit “Luigj Gurakuqi”. Situata e tensionuar i detyroi organizatorët që ta zhvendosnin mbledhjen në bibliotekën e Universitetit, nga godina e rektoratit ku ishte lajmëruar më parë.

Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Gazmend Bardhi e quajti konstituimin një cirk të paligjshëm, që sipas tij tentoi të “grabiste me krimin pushtetin vendor”.

Mbledhja u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme; brenda rrethimit të bibliotekës u vendosën forcat e FNSH-së, të pajisur me skafandra dhe gaz lotësjellës, ndërkohë që protestuesit jashtë godinës tentuan disa herë të çanin kordonin e policisë.

Sipas BIRN, mbledhja u hap nga prefekti Çesk Millja, ndërsa të pranishëm ishin deputeti i PSD, Tom Doshi, i shpallur i padëshirueshëm nga qeveria e Shteteve të Bashkuara si dhe deputetët Luan Harusha dhe Senida Mesi nga PS. Të pranishëm ishin gjithashtu 50 nga 51 këshilltarët e rinj, nga të cilët 40 të Partisë Socialiste, 9 të PSD, 1 nga PDS dhe një nga Partia Socialiste e Moderuar.

Kryetare e këshillit bashkiak u zgjodh kandidatura e vetme, Brisela Kadia, e cila mori 47 vota pro dhe dy vota të pavlefshme. Gjithashtu u zgjodhën tre nënkryetarë të këshillit si dhe anëtarët e këshillit të qarkut.

E vetme nga radhët e PD-së në sallë, kryetarja aktuale e këshillit të qarkut, Greta Bardeli u përfshi në një incident nga anëtarët e pranishëm. Bardeli e konsideroi mbledhjen ilegjitime dhe antikushtetuese dhe paralajmëroi se për këtë situatë do të mbahej përgjegjësi.

Kryetarja e sapozgjedhur e këshillit, Kadia deklaroi se për postin e kryebashkiakut do t’i drejtoheshin KQZ-së, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, anëtarët janë shoqëruar nga deputeti Tom Doshi. Protestuesit u vunë në ndjekje të tyre dhe kanë lëshuar drejt tij shishe plastike. Tom Doshi reagoi vetëm duke buzëqeshur dhe vazhdoi rrugën e tij.

Kurse kryetarja Voltana Ademi tha se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Bashkisë së Shkodrës. Nga ambientet e këtij institucioni, ajo tha se çfarë ndodhi sot do të zhbëhet dhe shkodranët do të mund të zgjedhin të lirë përmes një gare të ndershme.

“Kurrsesi nuk mund të lejojmë që një uzurpator të uzurpojë qytetin. Ne do të vazhdojmë të gjithë bashkë që ta duam dhe ta mbrojmë qytetin. Do të kem detyrën që të jem kryebashkiake deri kur të sigurojmë zgjedhje të vërteta, ku të gjithë mund të zgjedhin të lirë”, tha Ademi.

Valdrin Pjetri, 37 vjeç, e fitoi mandatin me 10.3% të votave si kandidat i vetëm, por dha dorëheqjen nga marrja e mandatit pasi Partia Demokratike publikoi dokumente të një dënimi të tij për shpërndarje droge në vitin 2003 në Firence të Italisë, dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Ligji për Vetëqeverisjen Vendore thotë se kur posti i kryetarit mbetet vakant, një nënkryetar kryen funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Problemi është se nënkryetari është një person që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (neni 61) dhe në kushtet aktuale, ky post mbetet gjithashtu vakant.

Ngërçi mund të zgjidhej nga një dekret për zgjedhje të pjesshme vendore, por presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për rrjedhojë, ka deklaruar se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme për Shkodrën.

Në këto kushte, qeverisja vendore për Shkodrën mbetet në ngërç edhe pas konstituimit të këshillit bashkiak.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close