"Ne djemtë e dhjerë të shtypit" – një lamtumirë për Fatos Baxhakun

Aktualitet

Nga Ruben Avxhiu.

Më kujtohet në vitin 1997 (apo 1998), kur Edi Rama kishte kaluar cakun nga shoqëria civile në politikë, duke u bërë ministër i Kulturës.

I pakënaqur nga kritikat në shtyp, kishte thënë një mëngjes përpara tufës së gazetave mbi tavolinë: “Nuk di çfarë të bëj me këtë shtyp. Ta lexoj apo ta dhjes!”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kur u mor vesh kjo punë, Fatos Baxhaku reagoi me një shkrim në gazetë që titullohej: “Ne djemtë e dhjerë të shtypit”.

Është një nga titujt e rrallë që më mbeten në kujtesë nga dekada e parë e pluralizmit dhe fjalës së lirë në Shqipëri, sepse vështirë të gjesh një përmbledhje më të mirë të gazetarëve të vërtetë, profesionistë dhe të pakorruptuar të medias shqiptare.

Shumë nga ata janë bërë të pandashëm nga politika, disa u bënë pronarë gazetash e televizionesh, disa portalesh e disa u bekuan me emisione popullore e me gjendje të mirë financiare.

Po ata të pabindurit e të pakooptueshmët, ata të bezdishmit e të pagdhendshmit, ata që nuk futen dot në vathë apo nuk u ëmbëlsohet përkëdhelja e pushtetit, ata mbeten deri në fund të dhjerë. Jo vetëm nga korrupsioni në çdo nivel pushteti politik apo jopolitik. Po mbeten të dhjerë nga të gjithë edhe nga ata interesat e të cilëve duan të mbrojnë publikun e gjerë, pa emër e fytyrë.

Zgjidhja është shpesh tërheqja e ngadaltë. Dorëzimi i posteve dhe kredencialeve. Rrallimi i kontributit. Të them të drejtën largimi nga atdheu më ka bërë të harroj shumëkënd, që nuk shfaqet shpesh në media. Njëfarësoj e kisha harruar edhe Fatos Baxhakun, në kuptimin që kisha kohë që nuk mendoja, “po Baxhaku çfarë mendon për këtë”, apo të kërkoja për shkrime të tij. Nuk e mbaj mend kur e kam lexuar për herë të fundit.

Sot, kam idenë se në postin e kryeministrit, Rama nuk ka më dilemë. Ka dhjerë mbi shtypin shumë kohë më parë. As nuk është i vetmi. Madje reagimi i Baxhakut erdhi nga e kundërta. Ky ishte një ministër që deri dje radhitej me ata që shkruanin. Politika u vërtit sa mundi po pastaj ia gjeti anën shtypit. Sa më shumë kalon koha aq më shumë media është për shitje në Shqipëri. Disa të marrosur portalesh që nuk i lexon njeri do të vazhdojnë të ruajnë një lloj pavarësie. Të tjerët janë të njërës parti apo të tjetrës. Të presidentit apo të kryeministrit. Të kryetarit të opozitës apo të ndonjë kryetari tjetër. Të një biznesi apo të një tjetri, e për rrjedhim në pritje të klientit politik të radhës.

Ai titulli i Baxhakut sigurisht linte jashtë vazjat e shtypit që e kishin akoma edhe më keq se djemtë. Por më kujton një kohë kur ende shkruhej bukur në Tiranë. Ende kishte një lloj etjeje për fjalën, një lloj pafajsësie e naiviteti për idealet e epokën e re. Tani ka supergazetarë dhe punëtorë me mëditje që ende nuk kanë gjetur diçka tjetër. Liria dhe ulja e jashtëzakonshme e kostos se mjeteve të informimit, gazetaria jo si një profesion, po si një pasion në mos si një kuriozitet kalimtar është gjithnjë e më shumë e ardhmja. Na pret një botë të çmendurish që sakrifikojnë ose propagandistësh e informatorësh që mjelin interesat. Fjala do të humbasë vlerën në një mjedis ku mund të flasë kushdo, gati me të njëjtën forcë, në të njëjtën kohë. Zhurma do ta mundë sinjalin. Ndoshta deri në bregun tjetër të tragjedisë së re madhore njerëzore.

Fatos Baxhaku është një gazetar më pak që do ta shohë rrënimin e pandalshëm të gërshetimit të vrapit të teknologjisë me transfomimin e shoqërisë njerëzore. Pak më herët se shumë të tjerë dukej sikur e kishte parë kotësinë përtej.

Është tronditëse kur një koleg ikën në moshë kaq të re. Po nga një anë, jemi në një kohë që ata që kanë më shumë çfarë të thonë, janë ata që po flasin gjithnjë e më pak. Në një farë mënyre, ne ishim ende duke kërkuar ku duhej të zinim vend, kur Fatos Baxhaku kishte nisur të mblidhte plaçkat për të ikur. Në një farë mënyre iku shpejt, e në një tjetër habitesh se pse u vërtit kaq gjatë këtej pari.

Ne djemtë e tjerë të dhjerë të shtypit kemi mbetur ende këtu në këtë botë. Duke besuar për inat të çdo gjase, se ka një tjetër horizont përtej atij që na zë syri. Se mbase nuk është edhe aq keq. Se mbase kthesa mund të nisë, nëse gjejmë fjalinë e duhur. Titullin e duhur. Përtej atij argumenti te i cili ende nuk na ka shkuar mendja, që na ka shkuar po nuk e kemi formuluar ende si duhet. Që e kemi formuluar po nuk po gjejmë kohën që ta shkruajmë.

Që e kemi shkruar po nuk po vendosim se ku duhet ta botojmë. Që e kemi botuar po nuk e ka vënë re ende lexuesi. Se mbase një “like” apo një “share” më shumë do të fillojë ta vërë në dukje. E pastaj mesiguri do të bindemi se ia vlejti pritja dhe sakrifica. Nuk zgjati as shumë. Ja 30 vitet e para shkuan për një minutë./Marrë nga gazeta Illyria

ME TE LEXUARAT