Bota

Kina e armatosur deri “në dhëmbë” në kufi me Hong Kong-un, vjen paralajmërimi i fortë i SHBA

Situata në Hong Kong duket se po shkon drejt një përshkallëzimi serioz dhe me pasoja. Një karvan me kamionë të armatosur kinezë është vendosur në një qendër sportive në qytetin Shenzhen që kufizohet me Hong Kongun. Ky veprim ka rritur shqetësimet se Pekini mund të përfshihet direkt në protestat që vijojnë prej 10 javësh në rajonin gjysmë-autonom.

Por autoritetet shtetërore kanë reaguar duke deklaruar se forcat policore ishin në rajon në kuadër të një stërvitjeje të gjerë dhe nuk kanë lidhje me protestat.

Ndërkohë, veprimi i policisë kineze është kritikuar ashpër. Sipas ekspertëve, shtimi i forcave të policisë është një masë kundër protestave dhe mund të konsiderohet si “taktikë psikologjike luftimi”.

Nga ana tjetër, të martën, liderja e Hong Kongut, Carrie Lam u ka kërkuar protestuesve që të mos e shtyjnë qytetin drejt “humnerës”, teksa ka bërë një fjalim emocional para publikut.

Sipas saj, Hong Kongu ka arritur në një situatë të rrezikshme dhe dhuna do ta shtynte atë në një rrugë pa kthim. Por më parë, pavarësisht raportimeve për dhunë të policisë ndaj protestuesve, Lam ka mbrojtur veprimet e policisë, duke thënë se zyrtarët policorë janë “në kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Një ditë më parë, lideri i Senatit amerikan, Mitch McConnell, ka paralajmëruar Kinën në lidhje me Hong Kongun. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, McConnell ka theksuar: “Populli i Hong Kongut është ngritur me guxim kundër Partisë Komuniste Kineze, teksa Pekini synon t’ua shkelë autonominë dhe lirinë. Çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm. Bota është duke shikuar”.

E marta është dita e dytë që udhëtimet nga aeroporti i Hong Kongut janë pezulluar.

Shprehja e pakënaqësive në Hong Kong nuk është duke treguar ndonjë shenjë përmirësimi. Protestuesit fillimisht kanë nisur marshet kundër ligjit për ekstradimet nga rajoni gjysmë-autonom drejt Kinës. Ndonëse ligji është pezulluar, ai nuk është tërhequr zyrtarisht.

Protestat pro-demokratike të qytetarëve të Hong Kongut vazhdojnë meqë ata janë të frikësuar për liritë e rajonit autonom nën udhëheqësinë aktuale të Kinës.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës mirëpo ka më shumë autonomi, meqë funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close