Profesor Nikolla Pano: Zgjedhjet vendore në Shqipëri nuk zgjidhën çështjet e mbetura pezull

Aktualitet

Profesor Nikolla Pano, një vëzhgues i vëmendshëm i çështjeve shqiptare i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet vendore në Shqipëri nuk zgjidhën ndonjë nga çështjet e mbetura pezull. Ai tha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në gjendjen e trazirës që ka qenë tipari i pjesës më të madhe të vitit 2019. Me zotin Pano bisedoi kolegu ynë Ermal Mërtiri.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, cili është vlerësimi juaj paraprak për këto zgjedhje lokale tepër të pazakonta që kaloi Shqipëria?

Profesor Pano: Pikë së pari, jam shumë mirënjohës, dhe e di që njerëzit në Shqipëri dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan janë mirënjohës, për faktin që nuk pati dhunë të vërtetë që shoqëroi zgjedhjet, që ato ishin paqësore dhe që anëtarët e komunitetit të votuesve shqiptarë që patën dëshirën të merrnin pjesë, e patën mundësinë të votojnë. Por, në fund të ditës, zgjedhjet vërtet nuk zgjidhën ndonjë nga çështjet e mbetura pezull në Shqipëri. Tani duhet të presim hapin e ardhshëm pas zgjedhjeve. Qartësisht, Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në gjendjen e trazirës që ka qenë tipari i pjesës më të madhe të vitit 2019.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, sa legjitime janë këto zgjedhje, në mendimin tuaj?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Profesor Pano: Ekzistojnë shumë pikëpyetje për këto zgjedhje. Pikë së pari, është çështja nëse është i vlefshëm dekreti i KQZ-së apo i Presidentit. Do të kishte ndihmuar ekzistenca e një Gjykate Kushtetuese për të vendosur rreth kësaj çështjeje. Por, duke patur parasysh natyrën e situatës, statusi ligjor i zgjedhjeve është qartazi i pasigurtë.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, a ekziston një rrugëdalje nga kjo situatë? Çfarë hapash mund të rekomandonit për t’u ndërmarrë, minimalisht për nevojat urgjente afatshkurtra të kombit shqiptar dhe për sfidën me të cilën ai po përballet?

Profesor Pano: Është e qartë se nevojitet një lloj diskutimi I vërtetë, I sinqertë ndërmjet palëve, fraksioneve politike të vendit. Negocimi pa parakushte është qartazi hapi i parë në këtë drejtim. Shqipërisë nuk i nevojiten demonstrata që vazhdojnë dhe trazira. Udhëheqësia politike duhet të ngrihet në nivelin e sfidës së këtij momenti dhe të veprojë në emër të interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Pyetja e madhe që unë kam është: meqë zgjedhjet, në mendimin tim, nuk zgjidhën problemet me të cilat përballet vendi, pyetja qëndron se cilat janë opsionet që ekzistojnë për Shqipërinë? A janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhja, si në nivelin lokal edhe në atë kombëtar? Sa shpejt mund të krijohet Gjykata Kushtetuese? Kjo është thelbësore për të trajtuar disa nga problemet me të cilat përballet Shqipëria në periudhën afatgjatë.

Gjithashtu, duhet hartuar edhe një lloj programi me afate kohore, për të mundësuar ndryshimet ligjore dhe institucionale në Shqipëri, të cilat i nevojiten vendit në mënyrë të domosdoshme. Dhe do të thoja se pyetja parësore është se çfarë iniciativash duhen ndërmarrë për krijimin e mirëbesimit, për të filluar nxjerrjen e Shqipërisë nga rrëmuja në të cilën e gjen veten tashmë. Kush do ta udhëheqë këtë përpjekje? Dhe a mund të krijohet mbështetje e mjaftueshme nga publiku për ta bërë realitet një iniciativë të tillë? Nuk ka diskutim se ekzistojnë probleme serioze në Shqipëri dhe këto probleme thjesht nuk mund të lejohen të zgjaten. Ato jo vetëm po dëmtojnë pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ato po shkaktojnë probleme ekonomike në Shqipëri, po devijojnë vëmendjen nga moria e problemeve sociale dhe ekonomike, të cilat duhen trajtuar në Shqipëri, për të përmirësuar kushtet e mjeruara që mbizotërojnë në aspekte të ndryshme të jetës shqiptare.

Pra, kjo është sfida për udhëheqësinë politike shqiptare. Pyetja lind nëse do të kemi si zakonisht politikë, siç e kemi patur deri tani në Shqipëri, apo do të dalë një lloj mase shtetformuese dhe patriotizmi që është i domosdoshëm në këtë udhëkryq kritik në historinë e vendit

ME TE LEXUARAT