KQZ ndryshon strategji: Votimi jo në shkolla por nëpër ambulanca

Aktualitet

Kërcënimi për bllokim të zgjedhjeve nga bashkitë që drejtohen nga opozita, sinjale që kanë nisur më sulmet ndaj Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, po detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe qeverinë aplikuar një strategji të re.

Në këto njësi vendore ku territori administrohet nga opozita me kryebashiakë të PD-së apo dhe të LSI-së, KQZ ka propozuar ndryshimin e disa Qendrave të Votimit, duke i zhvendosur ato nga shkollat, institucione që administrohen nga ana e bashkitë, por në Qendra shëndetësore.

Pikërisht këto Qendra Shëndetësore janë varësi të ministrisë së Shëndetësisë dhe kjo duket se do të jetë zgjidhja e qeverisë për të shmangur ndonjë bllokim të mundshëm të procesit të votimit më 30 qershor.

KQZ shqyrtoi në mbledhjen e sotme diskutoi propozimet e paraqitura nga ana e administratës për ndryshim të vendndodhjes së Qendrave të Votimit në disa prej bashkive që janë administrimin e opozitës si në Pogradec, Patos, Selenicë, Kamëz, duke i hequr nga shkolla që ishin projektuar dhe dërguar në Qendrat Shëndetësore.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Argumentimi i nxjerrë nga administrata është se këto objekte arsimore janë në rikonstruksion, ose janë të rrënuara. “Qendra e Votimit nr 4608, e caktuar në shkollën 9-vjeçare “Gumenicë Fushë”, e cila është amortizuar, KZAZ nr.85 propozon caktimin e QV-së në ambulancën e fshatit Gumenicë. QV nr 4571, e caktuar në shkollën Mesarak, e cila është e amortizuar, KZAz propozon që të zhvendoset në Qendër Shëndetësore”, thuhet në materialin e KQZ-së së paraqitur për votim në mbledhjen e KQZ-së.

Kryetari KQZ-së, Klement Zguri u shpreh se si ka mundësi që administrata e konstatuar me kaq vonesë, duke vënë në dukje se kjo po bëhet edhe në tejkalim të afateve ligjore. “Bashkia Patos për shembull tani e gjetët se janë në rikontruskion”, iu drejtua kryekomisioneri.

Por drejtoresha e Komisioneve Zgjedhore, Ana Tenolli u shpreh se kjo ka ardhur për shkak se individët kanë pasur qëllime të caktuara. “KZAZ 27 Kamëz kanë qenë pjesë e propozimit, por u ndryshuan në projektaktin e dytë, përtej atyre arseve që të caktoheshin në objekt publike janë të njohur se ka qëndrime të caktuara dhe të individëve të caktuar që kanë qëllime të caktuara”, tha ajo. Ndërsa ndryshimet janë konstatuar për Selenicën nga ana e prefektit të Vlorë, i cili është në varësi të qeverisë, e janë futur në lojë në këtë proces pas bojkotimit që kanë pasur një pjesë e kryebashkiakëve të opozitës.

Mbi 20 QV u ndryshuan me vendim KQZ nga shkolla publike në qendra shëndetësore.
Zguri nuk i votoi propozimet e paraqitura për ndryshim të qendrave të votimit, ndërsa katër anëtarët e tjerë i votuan pro.

KQZ-ja gjithashtu ka marrë vendimin për ndryshim i disa qendrave të votimit në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, pasi ato ishin në ambiente private dhe se pronarët e këtyre objekteve, siç duket, nisur nga situata politike jo e mirë kanë deklaruar se nuk duan më. Për këtë KQZ-ja ka vendosur ose t’i kalojë sërish në ndonjë lokal privat, ose në shkolla apo kopshte.

KQZ ka votuar gjithashtu edhe miratimin e numrit të vëzhguesve në këto zgjedhje, ku kryekomisoneri Zguri votoi pro. Vetëm këto vendime për akreditim monitoruesish u kaluan me pesë vota.

Kryetari i KQZ, Klement Zguri është shprehur se nuk ka asnjë përpjekje serioze nga asnjë njeri për të bërë një vlerësim ligjor të dekretit të presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit.

“Me keqardhje shikoj se nuk ka asnjë përpjekje serioze nga askush, as individë dhe as instituticion që mundet të kenë mundësinë ligjore për të vënë në lëvizje dhe për të bërë një vlerësim ligjor, real të dekretit. Gjithsesi jemi në këto situata dhe i thashë këtë fjalë për të thënë që unë personalisht, pikërisht për këto arsye jam kundër vendimmarrjeve në parim, nuk kam asgjë me brendinë, por në parim. Ndërkohë që do cedoj nga ky qëndrim vetëm për vëzhguesit, ndërkombëtare apo vendas. Me gjithë respektin janë monitoruesit e vërtetë të gjithçkaje që ndodh, janë ata që bëjnë një vlerësim korrekt të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm të të vendimmarrjeve të cilat janë në tejkalim të kërkesave të ligjit. I thashë këto fjalë vetëm për arsyen e thjeshtë, për të konfirmuar se në vendimmarrjet që do vijnë, përjashtuar vëzhguesit, unë jam kundër në parim”, theksoi kryekomisioneri.

Konflikti mes opozitarëve dhe policisë

Bashkitë e drejtuara nga opozita në bllok kanë kërkuar zhvendosjen e KZAZ-ve nga ambientet shtetërore për shkak se duhet të zbatohet dekreti i presidentit Ilir Meta, i cili ka anuluar datën 30 qershor të zgjedhjeve. Dy ditë parë pati situatë tensioni në Kukës, Kavajë, Kamëz, Vorë, Shkodër ku pati përplasje mes simpatizantëve të opozitës dhe policisë. Në Shkodër në shkollën e Gjuhëve të Huaja, “Shejnaze Juka” pati dhe djegie të materiale zgjedhor të KZAZ-ve. Një situatë e tillë u vërejt dhe në Mat.
Policia përdori gazlotjsellës për të shpërndarë turmën që kërkoi që të merrte dhe të dëmtonte materialet zgjedhore.

Ndërsa janë arrestuar dhjetëra persona nga policia, ku ndërmjet tyre është edhe ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, si dhe mbi 50 persona janë shpallur në kërkim. Opozita është shprehur e vendosur se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe për këtë ka angazhuar strukturat e saj për të bllokuar procesin zgjedhor.

Krerët e bashkive të opozitës me anë të një letre të përbashkët i kanë bërë thirrje që zbatohet dekreti i presidentit duke njoftuar se do të bënin padi penale ndaj policisë dhe anëtarëve të KZAZ-ve në rast se nuk liroheshin ambientet që janë në administrimin e tyre.

“Në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11199, datë 10.06.2019, për anulimin e datës 30 Qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve lokale, i publikuar në Fletoren Zyrtare, në përputhje të plotë me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kemi kërkuar lirimin e ambienteve në pronësinë e bashkive tona, të cilat ishin vënë në dispozicion të KZAZ-ve për procesin zgjedhor.

Pas anulimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, i vetmi organ kushtetues për caktimin e saj, këto ambiente duhet të administrohen vetëm nga pronari – njësia e qeverisjes vendore”, thuhet në letrën e tyre./TEMA

ME TE LEXUARAT