Malltezi: Shqipëria në përplasje civile afatgjatë, nëse në 30 qershor zhvillohen zgjedhje

Aktualitet

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi, shefi i departamentit të Mjedisit të PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor është në frymën e Kushtetutës, për të mos lejuar zgjedhje monopartiake dhe për të qetësuar situatën.

Policia dhe prokuroria veprojnë në paligjshmëri derisa arrestojë qytetarë të cilët pengojnë zgjedhjet e shfuqizuara me dekretin e Presidentit. Zoti Malltezi pohon se KQZ-ja vepron me urdhëratë politike të Edi Ramës, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, për të cilin ata do të japin llogari para gjykatës. Zoti Malltezi thotë se mediat ndërkombëtare duke publikuar fakte që qeveria e Ramës bashkëpunon me krimin e organizuar për të blerë votat, u drejtohen qeverive të tyre, që ato të mos i japin më suport politik, por edhe shqiptarëve që ta kuptojnë që shteti është kapur nga Mafia.

Zoti Malltezi, derisa dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve u shpall në Gazetën Zyrtare, a duhet të fillojë prokuroria procedim penal ndaj KQZ për shpërdorim Detyre, përderisa nuk zbaton dekretin në fuqi?

Qysh para dekretit të Presidentit situata ka kohë që vijon anormale, shumë e rëndë dhe me pasoja të mundshme afatgjatë për vendin. Janë kapur zyrtarë të PS në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mafian në një strukturë të organizuar kriminale për blerje votash dhe askush nuk mban përgjegjësi. Prokuroria mbyll çështjet e bandave të krimit të organizuar ndaj nuk ka qetësi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Dekreti i Presidentit ishte në përputhje me frymën e Kushtetutës që njeh pluralizmin politik si sistem në Shqipëri dhe jo monizmin apo versionet e reja të tij përmes bashkëpunimit të një partie-shtet që bashkëpunon me bandat për të blerë zgjedhjet edhe blen ca dallkaukë që të paraqiten si fasadë e rreme e pluralizmit.

Dekreti ishte gjithashtu një përpjekje për qetësim të situatës nga tensionet e ashpra mes palëve. Zyrtarët më të lartë perëndimore e përshëndetën këtë përpjekje për qetësimin e situatës, por mesa duket Edi Rama nuk është i interesuar as për qetësim situate, as për zgjedhje dhe as për sigurim standardesh Evropiane,por veç për të vjedhur zgjedhjet prandaj ka urdhëruar kamikazët e vet politik në KQZ të bëhen palaço në sytë e gjithë publikut dhe të marrin atributet e Gjykatës Kushtetuese duke kryer vepra penale si p.sh., në dhunim të Nenit 246 të Kushtetutës.

Në një vend normal këta kamikazë politikë do duhet të ballafaqohen me ligjin dhe të mbahen përgjegjës penalisht por në këtë vend i kryekorruptuari ka kapur prokurorinë dhe çdo institucion të pavarur dhe nuk lejon të veprojë shteti i së drejtës. Mungesa e shtetit ligjor po pamundëson perspektiven Evropiane të Shqipërisë.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria mbi cilin ligj mund të procedojnë qytetarët që pengojnë procesin zgjedhor, derisa është në fuqi dekreti i Presidentit?

Të paligjshëm. Thjesht militantë politikë që nuk I binden shtetit ligjor por veç urdhrit të paligjshëm. Të kishte shtet ligjor do duhej të përballeshin me ligjin.

A shkon Shqipëria në përplasje civile nëse në 30 qershor zhvillohen zgjedhje?

Padyshim. Dhe afatgjatë. Kujtoni që për servilët dhe banditët e 1990 protestuesit kundër rrëgjimit ishin të paligjshëm. Por kush kish të drejtë? Edi Rama është kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar duke blerë dhe vjedhur zgjedhjet. A mund të gëzojë hajduti gjënë e vjedhur? Duhet ta dorëzojë. Kjo është edhe arsyeja që mediat më të mëdha të botës po e quajnë qeverinë Rama si mafie në pushtet, pasi bashkëpunon dhe qeveris me bandat e krimit të organizuar. A do lejojnë shqiptarët të qeverisen nga Mafia? A do ulin kokën apo do përballen me krimin e organizuar? A do rrinë të tulatur ndërsa qeveria po vret shpresën dhe jo vetëm nuk hap negociatat, por diskutohet rikthimi i regjimit të vizave? Kemi regres të rëndë.

Duke marrë shkas nga kjo KQZ që injoron Dekretin e Presidentit, a duhet që Reforma Zgjedhore detyrimisht të departizojë dhe depolitizojë gjithë Administratën Zgjedhore?

Kryesorja do jetë veprimi i shtetit ligjor. Të veprojë ligji kundër kujtdo që shkel ligjin qoftë edhe Edi Rama. Kjo është më kryesore se gjithçka tjetër. Ne kemi pasur administratë zgjedhore edhe politike por nuk ka pasur shkelje ligji. Kanë zbatuar ligjin dhe kemi pasur zgjedhje pa probleme të rënda dhe rotacione normale pushteti. Vetëm në këtë qeverisje që bashkëpunon me krimin e organizuar dhe kap institucionet e pavarura ka mbërritur gjendja deri këtu kur zyrtaret e shtetit shkelin ligjet e shtetit haptas dhe prokuroria nuk guxon të veprojë. Ka degjeneruar shteti ligjor dhe qeveria është kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar prandaj mediat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin.

Mediat gjermane kujt ia dërgojnë mesazhin kur publikojnë shkrime kritike ndaj Qeverisë së Ramës?

Të gjitha mediat ndërkombëtare kanë kapur fakte të paimagjinueshme të bashkëpunimit të Edi Ramës me krimin e organizuar dhe kanë ngritur alarmin për këto fakte. Nuk imagjinohet askund në Evropë bashkëpunimi dhe bashkëqeverisja qeveri-mafie. Në radhë të parë ata njoftojnë publikun e tyre qoftë për shkaqet e rritjes së emigracionit nga Shqipëria, e qoftë për shkaqet e rritjes së kriminalitetit nga Shqipëria. Më pas ato media njoftojnë qeveritë e tyre që mos bëjnë dëshmitarin fals (apo ca më keq të paguar me para nga trafiqet e pista) por të kërkojnë llogari që Shqipëria të përmbushë standardet evropiane nëse duan të bëhet pjesë e familjes së vendeve të civilizuara evropiane. Së fundmi nga këto media edhe shqiptarët marrin mesazhe të forta si p.sh.: “qeveria Rama është Mafia” apo “nuk ka integrim me Edi Ramën” etj.

Përse vallë akoma disa ndërkombëtarë e mbështetin qeverinë “Rama”, edhe pse janë zbardhur fakte të pa përgënjeshtrueshme për bashkëpunim me Krimin në blerje me votat?

Disa prej tyre janë “hallexhinj” që pëlqejnë pagesat e majme të krimit të organizuar siç ishte p.sh., rasti i një batakçiu rumun (Boshtinaru) mik i kreut të punëve të pista të Ramës, Tao Begos apo Tao Yaris, i cili para 10 vitesh dilte kundër heqjes së vizave për shqiptarët, e pas 2013-s lavdëronte qeverisjen e trafikanteve, derisa gazetarët anglezë e kapën mat duke kërkuar ryshfete për të kaluar projekt-ligje që preferonin grupet e krimit të organizuar.

Disa të tjerë kanë edhe detyrime ideologjike apo politike sipas rrjetës korruptive të Sorosit që mbështesin teorinë e krimit të dobishëm, nëse na shërben për agjendën e rrjetit. Shqiptarët janë mësuar më shumë nga ata dhe nuk iu bën aq shumë përshtypje maskarada. Çdo njeri duhet të bëjë pyetjen: “A i shërben vendit?” dhe “A i shërben të ardhmes së fëmijëve të mi?” Përgjigja e sinqertë ndaj këtyre pyetjeve është udhëzuesi më i mirë.

Mendoni se ndërkombëtarët dhe OSBE/ODIHR do të njohin tashmë zgjedhjet e 30 qershorit?

Shqiptarët nuk do njohin votime pa zgjedhje. OSCE/ODIHR do bëjnë raportet e tyre ku do shënojnë se për herë të parë në Evropë panë votime pa zgjedhje, por ne nuk duhet të presim nga të huajt. Ne duhet të përballemi me qeverinë e krimit të organizuar dhe të përballemi fort si në 1990 n që të refuzojmë bandën e organizuar që të marrë peng të ardhmen e fëmijëve tanë dhe demokracinë e Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT