Kryeprokurorja Marku: Vlora njihet për...

Aktualitet

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku është thirrur në seancë dëgjimore nga Komisioni i Ligjeve. Ndër të tjera, në fjalën e saj Marku tha se procesi i vetingut ka ndikuar në punën e prokurorëve dhe se përqindjen më të lartë të kriminalitetit e ka pasur qarku i Vlorës.  Kujtojmë se në këtë qark deputet është kryeministri i vendit, Edi Rama.

“Prokuroria, - tha Marku, -  ka zbatuar të gjitha ligjet në fuqi dhe rekomandimet e Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE, për të shpejtuar rrugën për integrimin e BE. Për vitin 2018 kemi më shumë procedime penale se në vitin 2017. Viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për prokurorët dhe gjyqtarët, për shkak të procesit të vettingut. Prokurorët kanë qenë disi apatik, pasi në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar në punën e tyre.

Një pjesë e procedimeve janë nisje nga Prokuroria, ndërsa më shumë janë referime nga qytetarët dhe policia. Gjithsej, janë bërë më shumë se 57 mijë procedime. Më shumë procedime penale janë shënuar në Tiranë, më pas në Durrës, Elbasan, Shkodër.  Përqindja më e ulët e kriminalitetit është në qarkun e Dibrës, kurse më të lartë e ka qarku i Vlorës. Veprat penale më të lartë janë vjedhja e pasurisë, krime ndaj personit, krimet ndaj tokës, veprat e dhunës kryesisht në familje."

ME TE LEXUARAT