Ekonomia

Pjeshkët dhe lekët i mori breshëri! Tani është vonë…!

Këtë herë ishte breshëri.

Ndërsa po përgatiteshim për ditët me diell, moti bëri surprizën e radhës. Një breshër i vrullshëm dhe kokërrmadh prilli, ra në një pjesë të mirë të vendit dhe shkatërroi pemtarinë.

“Breshëri lë fshatin Barbullinjë pa pjeshkë”- ky do të ishte lajmi i një televizioni kombëtar, që përcillte situatën e papritur me të cilën ishin përballur fermerët në zonën e Myzeqesë, c’ka solli dëmtimin e rreth 100 hektarëve tokë të mbjellë me pjeshkë vetëm në Lushnjë.

Fermerët në fshatin Barbullinjë të Njësisë Administrative Fiershegan të Bashkisë së Lushnjes thanë se është hera e parë që përballen me një fatkeqësi natyrore të këtyre përmasave.

Por gjithnjë ka një herë të parë dhe kjo mesa duket i gjeti fermeret tërësisht të papërgatitur, pasi ndryshoi skenarin e përvitshëm të përmbytjeve. Dhe mundin e tyre të një viti që e kishin të pasiguruar ua mori natyra në pak minuta. Bashkë me breshërin iku mundi fizik dhe ekonomik i një sezoni të tërë, ikën të adhurat që prisnin të merrnin, si e vetmja formë punësimi në këto zona.

Dhe në fund të të gjithë kësaj përballjeje me motin, sytë e fermerëve sërish u kthyen nga shteti, nga Ministria e Bujqësisë, për kompensim, apo “lëmoshë” (do ta quaja unë), pasi e gjithë sipërfaqja e dëmtuar nuk mund të prodhojë më këtë vit. Dhe sikurse pritej, ishte një kërkesë që ra në vesh të shurdhër, pasi Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë detyrim ligjor për kompensim në këtë rast. Detyrimin do ta kishin kompanitë e sigurimit, nëse këta fermerë do të kishin siguruar mundin e tyre, pasi do të merrnin një për një paratë e dëmeve të shkaktuara dhe do ta nisnin sërish aty ku e kishin lënë.

Në 20 vitet e fundit me shumë se 700 mijë njerëz në Shqipëri janë prekur nga katastrofat natyrore dhe pavarësisht rrezikut, sërish niveli i ndërgjegjësimit është minimal apo thuajse zero, pasi nga rreth 350 mijë fermerë në të gjithë vendin, numri i atyre që janë siguruar për të mbrojtur punë e tyre, numërohet me gishtat e dorës.Dhe këta, bejnë pjesë në kontigjentin e atyre që kanë punuar jashtë vendit dhe kanë krijuar një kulturë europiane në këtë drejtim.

Kjo ka ndodhur ndoshta për mungesë informacioni, kulture sigurimi, apo për shkak të justifikimit zhargon, se nuk kanë mundësi ekonomike. Ndërkohë që me shumë pak para, nuk do të kishin nevojë të luteshin tek institucionet shtetërore për kompensime që as moralisht nuk u bëjnë punë dhe për kompensime që ndoshta s’do t’i marrin asnjëherë. Kompanitë e sigurimeve ofrojnë mundësinë për fermerët, që duke paguar 3 deri 5 për qind të vlerës së investimit (prim ky mjaft i ulët në krahasim me rriskun qe ai mbulon ) të mund të marrin mbrapsh gjithçka të humbur në rastet kur përballen me ashpërisinë e motit.

Por mesa duket, bujqit nuk preferojnë ta transferojnë rriskun te shoqëritë e sigurimeve, por duan ta mbajnë atë vetë, duke shpresuar tek “”zemërgjërësia” e tekeve të natyrës.

Eksperienca botërore ( dhe ajo rajonale ) në këtë fushë karakterizohet nga mbështetje buxhetore për kompensimin e vlerës së primit te sigurimit. Prej 2 vitesh, edhe tek ne, po diskutohet per një projekt të tillë (ku shteti të marrë përsipër pagesën në masën 50 për qind të primit të sigurimit dhe pjesën tjetër ta paguajë fermeri ), por që ende nuk është konkretizuar pasi po “fle” në sirtarët e ministrive.

Ndërkohë, bankat dhe institucionet e mikrofinancës e kanë ndër kushtet kryesore sigurimin e produktit apo investimit ne bujqësi, c’ka përbën edhe një pengese serioze për fermerin që të marrë financim pa qenë i siguruar.

Për më të “zgjuarit”, kompanitë e sigurimeve kanë paguar dhjetera mijera euro dëmshpërblime, në rastet kur këta fermerë janë prekur nga fatkeqësite natyrore.

Zgjedhja është e fermerëve – të sigurohen dhe të përfitojnë dëmshpërblim apo të rrinë me sytë nga qielli duke pritur se kur humbja do t’u trokasë tek dera !

Anisa.B

loading...

Artikuj te ngjashem

Back to top button
Close
Close