Ekonomia

Aksioni i AKU, bllokohen fara misri jashtë standardit në Elbasan

Në vazhdim të kontrolleve intensive, për të gjitha kategoritë e ushqimeve dhe produkteve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar me destinacion asgjësimin e sasisë prej 17.5 ton farë misri.


Fillimisht, nga drejtoria rajonale e AKU në Elbasan janë kryer kontrolle zyrtare në subjektet që tregtojnë me pakicë inpute bujqësore dhe janë marrë mostra nga fara të ndryshme (përfshirë edhe farën e misrit me emërtimin LG 30600) për t’i analizuar për treguesit cilësor të tyre. Nga këto analiza ka rezultuar se treguesi i fuqisë mbirëse për mostrën e farës së misrit me emërtimin LG 30600 ishte nën normën zyrtare të lejuar për mbjellje.


Me marrjen e këtij informacioni, Drejtoria e Përgjithshme e AKU identifikoi subjektin furnizues (përfshirë datën e importimit në territorin e vendit tonë, si dhe sasinë e importuar të kësaj fare) dhe ushtroi kontroll zyrtar në këtë subjekt. Në kuadër të kontrollit zyrtar, AKU bllokoi sasinë prej 17,551.4 kg (për të cilën u mor mostra zyrtare për analizim), si dhe urdhëroi tërheqjen e sasisë prej 100.8 kg gjendje nga subjektet e tregtimit me pakicë në Elbasan dhe Lushnje, me detyrimin për ta kthyer farën jashtë standardit tek furnizuesi (subjekti i shumicës).Analiza sërish tregoi se normat ishin jashtë atyre të përcaktuara për mbjellje.


Si rrjedhojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi ndaj subjektit furnizues:
1) masën administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë, për tregtimin e farave me fuqi mbirëse nën normën e lejuar,
2) masën administrative “Bllokim” me qëllim asgjësimin e produktit me sasi 17.5 ton farë misri me vlerë tregu 7,020,400 lekë,
3) detyrimin e subjektit për të njoftuar AKU-në për të qenë prezent në momentin e asgjësimit sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur dhe i motivuar të verifikojë në vazhdimësi plotësimin e kërkesave ligjore për inputet bujqësore, me qëllim garantimin e fermerëve për produkte sa më cilësore.
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët! 💪

loading...

Artikuj te ngjashem

Back to top button
Close
Close