Lajmi i fundit

Kemi fitime, s`kemi nevojë të vjedhim, familjarët e Dajës nga Kosova: Miqësia me Muratajn e fundosi

Dardan Hajdini, djali i Ragip Hajdinit kosovarit të arrestuar si bashkëpunëtor në grabitjen e 6 milione eurove në aeroportin e Rinasit, thotë se babai i tij është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me këtë ngjarje kriminale. Në një prononcim për median në Tiranë, Dardan Hajdini tha se arrestimi është i padrejtë. “Kemi të ardhura, nuk kemi nevojë të grabisim”, u shpreh ai.

Nga ana tjeter Mustafa Hajdini, vëllai i të arrestuarit Ragip Hajdini, shpjegoi edhe se çfarë ka ndodhur në Kosovë me hetimet ndaj vëllait të tij për dy grabitje të ndodhura atje, njëra në Istog ku mbeti i vrarë edhe një polic, dhe tjetra, vjedhja e 24 kg ar në Dhomën e Provave në Komisariatin e Pejës.

Mustafa Hajdini tha se vëllai i tij ka dalë i pafajshëm me vendim të gjykatës së Pejës, pasi nuk janë gjetur prova kundër tij. “Gjykata e Pejës ka marrë pafajësi, ka qenë i arrestuar, por nuk kishte dëshmi, vetëm policia i merr ato gjëra, se nuk mundet një njëri të marrë arin në polici”, tha Hajdini, citon Report TV.

Arrestimi i vëllait të tij është bërë sipas tij, vetëm për shkak të lidhjeve miqësore dhe familjare me Admir Muratajn, grabitësin që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes së 9 prillit në Rinas. “Ragipi është viktimë, vetëm se ka marrë pjesë na varrim, kam qenë edhe unë me djemtë e mi, Kur i shkohet në dasëm i shkohet edhe në mort. Vetëm për shkak të miqësisë me familjen Murataj”, tha Mustafa Hajdini.

Ai tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për arrestimin e vëllait të tij, dhe se policia nuk ka bërë kontrolle në banesën e tij.

“Asnjë nuk më ka njoftuar. Ragipi jeton në shtëpi të tij, unë në shtëpi time. Jetojmë në një pallat por ai ka shtëpinë e tij ai të veten. Kur unë jam i pastër nuk mundet me më kontrolluar në shtëpinë time, nuk ka ardhur për kontroll policia”, përfundoi Mustafa Hajdini, i cili ka marrë avokat për të vëllain. Mirash Dacin.

Ata mbërritën këtë të enjte në Tiranë për të takuar në qeli të afërmin e tyre, Ragipin, 50-vjeçar.

Ragip Hajdini u zbulua nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i arrestuar për modifikimin e furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Kosovari ka kërkuar të ballafaqeohet me të penduarin, pasi ka mohuar të ketë lidhje me grabitjen. /shqiptarja

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!
Back to top button
Close