15-vjetori i “Tifozave Kuq e Zi”, historiku dhe arritjet e tyre

Sport

Tifozat Kuq e Zi (TKZ) njihen si lojtari i dymbëdhjetë i Kombëtares Shqiptare. Ata janë “shpirti” i ekipit tonë përfaqsues sa herë që lojtarët zbresin në fushë.

Tifogrupi TKZ ka bërë që kombëtarja të ndjehet si në shtëpi edhe në ndeshjet jashtë vendit, duke skuqur me flamurin kuq e zi stadiumet më të famshme të Europës dhe duke lartësuar imazhin e shqiptarëve në botë.

Dita e sotme përkon me 15 vjetorin e krijimit të tyre, ndaj në intervistën me përfaqësuesin për mediat pranë këtij tifogrupi, Elton Çela do njihemi me historikun dhe arritjet e Tifozave Kuq e Zi.

  1. Si lindën “Tifozat Kuq e Zi” dhe cilët ishin themeluesit e parë të këtij tifogrupi?

TKZ është prej 15 vitesh tashmë tifogrupi i vetëm mbarëkombëtar shqiptar, duke qenë në gjithë këtë periudhë pranë kombëtares tonë. TKZ lindën nga nevoja për të patur një grupim mbështetës për kombëtaren, gjë që mungonte deri në atë periudhë. Përsa i përket themeluesve, pesë të parët janë: Nga Prishtina, Tuzi, Peja dhe Shkupi. Pas tyre u bashkuan edhe shumë djem të tjerë, që ngritën grupin punues për krijimin e TKZ-së.

  1. Si funksionon ky tifogrup dhe a mund të na thoni një numër të përafërt të antarëve?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

TKZ ka një shtrirje në gjithë hapësirën mbarëshqiptare me anëtar dhe përfaqësi në qytete të ndryshme të trevave tona. Sigurisht që edhe pse jemi vetëm një tifogrup, ne kemi një organizim tonin të brendshëm me disa shkallë veprimi, duke nisur nga anëtarësia. Momentalisht jemi rreth 1000 anëtar, por me eleminatoret që ende nuk kanë nisur presim që ashtu si çdo eleminatore ta mbyllim në dyfishin e kësaj shifre.

  1. Cilat janë disa nga vështirësitë që keni hasur në 15 vite rrugëtim?

Vështirësi kemi patur shpesh në këto 15 vite ekzistencë, por edhe ato na janë kthyer në forcë për tu përmirësuar në vazhdimësi. Mund të përmend një moment të tillë, siç ishte bojkoti ynë në ndeshjet shtëpiake. Edhe për shkak të përkrahjes që mori, kjo nismë e jona u bë faktor që ne sot jemi në një situatë shumë komode dhe ia kemi dalë të realizojmë një ndër kërkesat tona kryesore, largimin e policisë nga tribuna.

  1. Cilat janë arritjet më të mëdha të “Tifozëve Kuq e Zi”?

Janë shumë, për të mos u zgjatur duhet t’i listoj disa shkurt:

  • Realizimi dhe hapja e flamurit të madh kundër Ukrainës.
  • Aktiviteti i 100 Vjetorit të Pavarësisë, ku ndezëm mbi 1000 flakadanë në bregdetin e Vlorës.
  • Slogani jonë “o sa mirë me qenë shqiptar”, kur u bë slogani i kombëtares edhe në Euro 2016 mbas disa votimesh.
  • Anëtarësimi në FSE, ku njihemi zyrtarisht si tifogrup dhe nga UEFA.
  • Ishim i vetmi tifogrup që ia dolëm që në europian të kishim një koregrafi, pavarsisht se nuk mundëm të niseshim të organizuar.
  1. Si ka qenë mardhënia TKZ-FSHF këto 15 vite?

Mund të themi se ka qenë përherë me ulje – ngritje të shumta, takime dhe përplasje, në varësi të situatave të caktuara. Mund t’iu kujtojmë rastin e krijimit të një tifogrupi nga vetë FSHF, apo mosdhënia e biletave për të shkuar të organizuar si tifogrup në Francë për europianin. Momentalisht marrëdhëniet janë të kënaqshme, aq më tepër se janë marrë për bazë disa nga kërkesat tona.

  1. Përveç përfaqësueses, ju keni lobuar fuqishëm edhe për çështje kombëtare, duke protestuar disa herë për të drejtat e shqiptarëve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Çfarë nënkupton kjo?

Po, në këto 15 vite të ekzistencës tonë, ne jemi përfshirë në shumë çështje kombëtare për të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat. Kjo vjen sepse ne nuk kemi në bazë të themelimit tonë vetëm pasionin për kombëtaren, por edhe në bazë të një ideali të përbashkët kombëtar. Kështu jemi përpjekur në vazhdimësi që të jemi sa më shpesh të përfshirë në të tilla çështje.

  1. Ditët e fundit ju morët pjesë si tifogrup në protestën e studentëve. E kujt ishte ideja për t’iu bashkuar të rinjve?

Nuk besojmë që sot që flasim është dikush që nuk i jep të drejtë studentëve dhe protestave të tyre. U pranua nga të gjithë që kjo ishte një protestë dhe një çështje e drejtë dhe se problemet e kërkuara për zgjidhje nga studentët qëndrojnë. Studentët janë rinia, dhe rinia e ardhmja e kombit, kështu duke patur edhe shumë anëtarë studentë brenda grupit pranuam idenë ta mbështesnim në mënyrë publike madje edhe me prezencën tonë atë protestë.

  1. Së fundmi të ndalemi pak tek festa e “15 vjetorit”. A i përmbushi ajo pritshmëritë tuaja?

Aktiviteti nisi që në mëngjes, ku në qendër të qytetit prezantuam një galeri fotografike me momentet më të bukura të TKZ-së në 15 vite. Më pas u përqendrua te festa ku arsyeja kryesore ishte takimi anëtarëve dhe ish anëtarëve me njëri – tjetrin. Të nesërmen si traditë kudo që bëjmë përvjetore bëmë një shëtitje kulturore në pikat kryesore të Tiranës për të mësuar më shumë rreth trashgimisë së saj ndër to: Sahati Tiranës, Kalaja Tiranës dhe Ura Tabakëve./CNA.al

ME TE LEXUARAT