“Sfida e balenës blu”, eksperti i policisë: Krijuesi i lojës, me probleme mendore

Aktualitet

Rasti i 12-vjeçares nga rrethinat e Gjirokastrës, e cila i shpëtoi aktit final të vetëvrasjes pas përfshirjes në lojën “Sfida e balenës blu”, është i pari i regjistruar në Shqipëri. Ky fakt konfirmohet nga specialistët e krimit kibernetik, të cilët të hënën i thanë Top Channel se krijuesi i lojës është vënë në pranga.

“Një person është arrestuar nga policia në Rusi. Ai ka pasur një armatë të tërë me vete, ka qenë administrator, por me probleme mendore. Ai, së bashku me bashkëpunëtorë të tij dhe me programues ka goditur një grupmoshë nga 9 deri në 17 vjeç. Klientë të cilët fillimisht i blente nga ana mendore, duke i pyetur mbi marrëdhëniet që kishin me prindërit, vëllain apo motrën dhe njerëzit e tjerë, me shkollën e mësuesit. Më pas mësonin se çfarë ishin në gjendje të bënin këta klientë dhe ndiqnin një sërë hapash që çonin në vetëflijimin e tyre”, tha Artan Dashi, specialist për krimin kibernetik.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por, mesa duket, rreziku nga loja vdekjeprurëse është ende i pranishëm. “Absolutisht. Edhe kjo intervistë është në kuadrin e masave për parandalimin dhe njoftimin të të gjithë fëmijëve nga mosha 9-17 vjeç që të mos bien prè. Paralajmërimi u shkon edhe familjarëve, e sidomos prindërve të tyre, që të mos i lejojnë fëmijët të bien prè e kësaj loje”, tha më tej Artan Dashi.

12-vjeçarja në Gjirokastër u shpëtua falë vëmendjes së shokëve të klasës. Ata kishin vënë re ndryshimet e saj në gjendje emocionale dhe sjellje, e deri edhe shenjat e vetëplagosjes.

ME TE LEXUARAT