Aktualitet

Masakra në Durrës, nëna e 17-vjeçarit mes lotësh: Mos e lironi vrasësin ose…

Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim dosjen e një vrasjeje të trefishtë, ku autori i dënuar me burg të përjetshëm këmbëngul në pafajësinë e tij. Arjan Çelaj, nga Vlora, është dënuar si autor i masakrës së ndodhur më 27 janar të vitit 2010, ku mbetën të vrarë tre persona në një lokal në vendin e njohur si Lagjja e Re në Durrës.
Çelaj ekzekutoi me breshëri automatike shtetasit Luan Curri, nipin e tij 17-vjeçar, Ani Curri, dhe Edmond Shemsin. Pavarësisht se çështja është gjykuar në të gjitha shkallët, autori tashmë 42-vjeçar pretendon pafajësinë, duke kërkuar rishqyrtim të akteve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, me një tjetër trup gjykues.

Pak ditë më parë u zhvillua seanca e dytë gjyqësore, ndërsa vendimi pritet të merret, pasi organi i akuzës të paraqesë edhe disa prova të reja që vërtetojnë se autori i masakrës është Arjan Çelaj.

Në seancën e djeshme ishin të pranishëm familjarë dhe të afërm të viktimave, të cilët kërkuan të lihet në fuqi burgimi i përjetshëm për autorin. Nëna e 17-vjeçarit Ani Curri shprehet se një vendim i ndryshëm nga ai i dhënë më parë do të jetë një vrasje e dytë për të dhe familjen e saj.

Znj. Mynyre, është rikthyer për gjykim dosja me vrasjen e trefishtë, ku një prej viktimave është djali juaj 17 vjeç. Autori këmbëngul në pafajësi, ju si familjare si e gjykoni?

Kjo çështje po na rihap plagët, të cilat, edhe pse kanë kaluar shtatë vjet e një muaj, nuk janë mbyllur ende. Ne si familjarë nuk jemi dakord të rishqyrtohet çështja, megjithatë këtë nuk e vendosim ne, por Gjykata. Në të gjitha shkallët e gjyqësorit, gjykatat kanë vendosur ta dënojnë autorin me burgim të përjetshëm dhe deri në njëfarë pike për ne si familjarë ishte justifikim, edhe pse djalin tim vetëm 17-vjeçar nuk e kthen më në jetë.

Ju si familjare çfarë kërkoni?

Ne kërkojmë të qëndrojë në fuqi vendimi “burgim i përjetshëm” për autorin. Kërkojmë të mos merret parasysh kërkesa për ulje të dënimit. Asgjë tjetër nuk kërkojmë, vetëm drejtësi. Të vihet drejtësia në vend dhe autori të vuajë dënimin e merituar për krimin, pasi vrau tre persona të pafajshëm.

Çfarë mbani mend nga ajo natë, kur ndodhi krimi i trefishtë?

Gjithçka. Nuk mund ta fshij dot nga memoria atë natë të zezë, edhe pse kanë kaluar shtatë vite, një muaj e dhjetë ditë. I numëroj ditët me radhë, një nga një. Atë natë, djali (Ani Curri) doli nga shtëpia dhe shkoi te lokali i xhaxhait të tij, që ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë. Unë me bashkëshortin ndodheshim në shtëpi, vetëm kur dëgjuam breshërinë e armës. Dil i thashë tim shoqi, se përjashta u bë nami. Ndërkohë që im shoq po dilte nga shtëpia për të shkuar te lokali, unë dola në ballkon dhe pashë vrasësit që po largoheshin me motor.

E identifikuat vrasësin, ishte i maskuar?

Njërin prej tyre po, atë që qëlloi. Ai kishte armën në krahun e djathtë dhe ishte pa maskë, ndërsa ai që po e priste përjashta kishte skafandër në kokë dhe nuk arrita ta dalloja. “Çfarë më bëre?”, i thashë. Ai më vështroi një herë me sy dhe u larguan. Motorin e pashë edhe gjatë paradites, teksa vinte vërdallë aty në lagje. Rreth orës 11:00, një person me atë motorin erdhi tri-katër herë vërdallë dhe shikonte nga lokali, por menduam se kërkonte ndonjë shokun e vet.

Arjan Çelaj, i cili është dënuar për ngjarjen, nuk e ka pranuar asnjëherë krimin…

Ai mund të thotë çfarë të dojë, por përveç provave të pakundërshtueshme të grumbulluara nga policia dhe prokuroria, atë e pashë me sytë e mi dhe fytyrën e tij nuk do ta harroj sa të kem jetë. Ai është autori i vrasjeve. Ai më mori dritën e syve dhe uroj me gjithë shpirt të mos dalë më nga burgu sa të jetë gjallë. Ai meriton ekzekutimin, por ne ia kemi lënë drejtësisë në dorë dhe shpresojmë që drejtësia të vihet në vend. Është e vetmja mënyrë për të gjetur pak qetësi, megjithëse kjo është e pamundur, pasi nuk e kam më dritën e syve. Ishte vetëm 17 vjeç dhe u vra me bukë në gojë. Gjykata të mos na vrasë për herë të dytë, por të vendosë burgun përjetë ndaj tij./Panorama

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!
Tags

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close