"Për shpërfillësit e ligjit dhe frikacakët nga reforma!"

Politikë

bushatiMinistri i Jashtëm Ditmir Bushati i kërkon Presidentit të Republikës, Bujar Nishani që të sqarojë opinionin publik në lidhje me shkeljen e ceremonialit të shtetit, siç e cilëson ai. Kujtojmë se dy ditë më parë, Presidenti shmangu një takim me ambasadorët e vendit tonë të akredituar nëpër shtete të ndryshme të botës. Për rastin, kryediplomati thotë se koha e trajtimit të diplomatëve mbi bazën e “vendeve të rezervuara” ka përfunduar tashmë.

Kujtojmë se termi i vendeve të rezervuara është përdorur nga opozita në lidhje me reformën në drejtësi. Në këtë këndvështrim, Bushati shprehet se Presidenti është në kërkim të konflikteve të vockla dhe që hesht e pranon çimentimin e kulturës së korporatës në drejtësi.

Reagimi i plotë i Bushatit:

Për shpërfillësit e ligjit dhe frikacakët nga reforma!

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Habitem se si një President që ka mesatarisht 2-3 këshilltarë për çdo çështje (përfshirë ato protokollare), nuk sqaron opinionin publik për veprimin e tij të paprecedent në shkelje të ceremonialit të shtetit dhe praktikës së konsoliduar diplomatike shumëvjeçare, por preferon të keqpërdor tellallët e vend strehimeve politike.

Ceremoniali i shtetit, si pika e vetme e referimit për protokollin e shtetit që siguron mirëkuptimin e bashkëpunimin midis institucioneve, është fare i qartë. Ai aplikohet njësoj për Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme. Ceremoniali nuk lë shteg për interpretime partiake, e as për trajtim privat të institucioneve shtetërore.

Koha e trajtimit të trupit diplomatik mbi bazën e “vendeve të rezervuara” ka perënduar që kur shqiptarët me votën e tyre të lirë e nxorën në opozitë partinë e zotit President. Trupi diplomatik nuk është “mërgata e qyqeve” dhe as e “qokatarëve”, por një trupë e një shërbim që punon për interesat e vendit e qytetarëve.

Keqardhje për Presidentin në kërkim të konflikteve të vockla, që hesht dhe pranon çimentimin e kulturës së korporatës në drejtësi. Është mendësia e korporatës, në shpërfillje të plotë të rendit demokratik, që tregojnë me gisht mbi 93% e shqiptarëve sot. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë investuar pak në këtë proces jetik për vendin.

Keqardhje për “amnezinë presidenciale” ndaj paranojës së partisë së zotit President për reformën në drejtësi, që po e çon këtë të fundit gjithnjë e më shumë drejt instikteve e metodave izolacioniste të Doktorrit, i cili, për hir të interesave të pushtetit dhe familjes së tij, u konfrontua me popullin dhe botën atlantike.

Zoti President, çlirojeni veten nga përdorimi i funksionit publik si pronë private dhe partinë tuaj nga paranoja e “rrezikut euro-amerikan”, çlirojeni veten dhe partinë tuaj nga sindroma e qarramanit, sepse për Shqipërinë çështja më madhore mbetet miratimi i reformës në drejtësi.

ME TE LEXUARAT