Politika

Panariti prezanton kandidatin në Kuçovë

panarMinistri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti bashkë me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani bashkëbiseduan me banorë të komunave Lumas, Kozare dhe Perondi.Gjatë këtyre takimeve Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti tha se zhvillimi i bujqësisë do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e gjithë vendit.

“Zhvillimi i vendit kalon nga bujqësia. Vendi nuk prodhon as aeroplanë, as tanke, as televizorë etj. Ky vend edhe atë industri që ka, e ka të lidhur me bujqësinë. U zhvillua bujqësia, u zhvillua vendi. Ajo që unë shikoj me kënaqësi është që njerëzit po i rikthehen bujqësisë. Pavarësisht se kriza e fqinjëve tanë e grekëve na dëmtoi në kuptimin që ranë të ardhurat që sjell emigracioni, pati një efekt të mirë që e kuptuam që toka nuk të tradhton kurrë, toka është aty, toka prodhon, të garanton një jetë dinjitoze dhe me pak mençuri dhe me mbështetjen e shtetit dhe të mekanizmave të tjerë, mund të të bëjë edhe të pasur”, tha z. Panariti.

Z. Edmond Panariti tha se z. Selfo Kapllani është njeriu i duhur për Bashkinë e re të Kuçovës e cila do të ketë në përbërje tashmë edhe Komunën Lumas.

“Përshtypja ime për Selfo Kapllanin është se është një burrë me integritet, që i ka shumë të qarta synimet dhe objektivat e tij dhe ajo që është më kryesorja, ka mbështetjen e qeverisë. Duhet të kemi parasysh që Selfo është administrator, është kryetar i një bashkie të madhe. Pra, tashmë komunat Lumas, Kozarë dhe Perondi janë pjesë e bashkisë dhe kjo do të thotë mundësi shumë më të mëdha për financime, për administrim më të mirë dhe më të mençur të burimeve të jashtëzakonshme që kanë këto komuna. Fakti është që duke qenë nën një dorë të vetme administruese nga Këshilli bashkiak dhe Kryetari, e bën shumë më të lehtë edhe për pushtetin për të zhvilluar planet e zhvillimit”, – theksoi z. Panariti, i cili shtoi se një nga projektet për të cilat do të jepet edhe mbështetja e qeverisë është bashkimi i fermerëve në shoqata sipas një organizimi modern.

“Kemi diskutuar për organizimin e fermerëve në shoqata, gjë që është një nga objektivat kryesore. Gjithsecili ka parasysh historinë e kooperativave të vjetra, por nuk bëhet fjalë për atë lloj. Bëhet fjalë për një bashkim krejt të ri ku fermerët bashkojnë sipërfaqet e tyre dhe i vënë në dispozicion të një strukture unike prodhimi, një prodhim të organizuar gjë që bën edhe kostot e prodhimit bujqësor të jenë shumë më të ulëta. Bashkimi është i domosdoshëm sepse krijon mundësi që edhe shteti të jetë më efektiv në ndihmën dhe në përkrahjen e bujqësisë, por njëkohësisht krijon zinxhirin e vlerës në prodhim, treg, krijim të ardhurave, agro-përpunim. Unë mendoj se kjo është fizionomia e bujqësisë moderne”, tha më tej në fjalën e tij Ministri i Bujqësisë.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Selfo Kapllani garantoi për vëmendje maksimale për zgjidhjen e problematikave të reja, ndërsa theksoi se banorët e kësaj zone do të jenë bashkëhartues të projekteve për zhvillim.

“Bashkia e re e cila ka një territor më të madh duke përfshirë të trija komunat , është mënyra më e mirë për të administruar dhe për të qeverisur në bashkinë e re. Është një model krejt ndryshe nga ai që ka qenë deri dje dhe këto janë avantazhe për punën e Kryetarit të bashkisë. Ajo që ka rëndësi është mbështetja financiare nga qeveria. Kjo është lehtësi nesër mua si Kryetar bashkie, që ato projekte që ne nesër do t’i bëjmë bashkë, do t’i bëjmë realitet. Suporti i qeverisë është garanci për mua nesër. Në vitin e parë të mandatit katër vjeçar të qeveriejs vendore kam marrë garanci edhe nga Kryeministri, edhe nga Kryetari i Kuvendit, për investimin më të rëndësishëm që është rruga lidhëse nga Bashkia e Kuçovës në komunën Lumas. Ajo i jep një zhvillim të jashtëzakonshëm zonës suaj”, tha z. Selfo Kapllani.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti dhe kandidati për Kryetar të Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani u ndalën në një bashkëbisedim dhe me banorë të Komunave Perondi dhe Kozare.

Z. Edmond Panariti theksoi se Shqipëria është në një moment historik, ku me ndarjen e re administrative territoriale, krijohen mundësi të reja zhvillimi.

“Një bashki e cila do të ketë në administrimin e saj një territor shumë më të gjerë dhe njëkohësisht shumë më tepër mundësi edhe nga pikëpamja financiare, edhe nga pikëpamja e zhvillimit të projekteve, edhe nga pikëpamja e menaxhimit, e kontrollit, të aktiviteteve të bashkisë së re që përfshin edhe Perondinë, edhe Lumasin, edhe Kozarën, gjë që është një avantazh i padiskutueshëm në krahasim me mënyrën e deritanishme të qeverisjes së fragmentarizuar, gjë që nuk ka prodhuar ato rezultate që kishin pritshmëri banorët”, – tha z. Panariti.

Ministri u shpreh se vota për kandidatin e së majtës Selfo Kapllani është një votë e “mençur”.

“Jam i sigurt që ju do të votoni Selfon, në radhë të parë sepse është një votim i mençur. Të votosh një personalitet të tillë, me integritet, me përgatitjen e duhur, me njohjen e problemeve të zonës dhe që ka natyrisht vullnetin për të zbatuar të gjithë projektet që do të bëjnë të mundur transformimin e kësaj zone, do të ketë padyshim mbështetjen e pakursyer të qeverisë shqiptare dhe timen personale përsa i përket zhvillimit të prodhimeve të bujqësisë që do t’i japim fermerëve,

Prandaj një nga sfidat tuaja me mbështetjen time do të jetë shoqata e fermerëve e cila do të bëjë të mundur pastaj krijimin e një zinxhiri vlerash, që fillon që nga shpërndarja e farave dhe plehrave kimike me kosto të ulët”, – deklaroi z. Panariti.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close