Bashkurti: Kumanova, skenar i Gruevskit dhe aleatëve të tij

Kosovë&Rajon

baskPresidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti, ka vlerësuar se prapa krizës së Kumanovës nuk qëndron asgjë shqiptare. Për këtë krizë ai e ka fajësuar Qeverinë e Gruevskit me gjithë garniturën e saj, duke thënë se për këtë ngjarje ishte përgatitur një skenar i errët, i cili nuk u realizua.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, diplomati shqiptar ka deklaruar se sa më shumë që po kalon koha, aq më tepër po bëhet i qartë skenari keqdashës i kësaj ngjarje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Asgjë shqiptare, asgjë etnike, asgjë myslimane dhe asgjë që t’i implikojë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, nuk qëndron prapa krizës së Kumanovës. Të gjitha opsionet analitike të shpijnë te Qeveria e Gruevskit dhe lidhjet e saj me fqinjët preferencialë në rajon dhe në Rusi. Dështimi i skenarit është një shuplakë e fuqishme për Qeverinë e Gruevskit në plan të brendshëm rajonal dhe ndërkombëtar. Regjimi autokratik dhe policor i Gruevskit tanimë i ka shkatërruar skenarët e errët. Pra, është tërësisht jashtë kohe dhe i damkosur”, ka thënë Bashkurti.

Ai ka bërë me dije se Qeveria maqedonase ka zgjedhur Kumanovën për ta realizuar këtë skenar për shkak të pozicionit shumë delikat që ka ky qytet.

“Kumanova është një trekëndësh midis Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Në atë zonë kalon magjistralja, hekurudha elektrike nga Greqia deri në Paris e Gjermani. Pikërisht atje mendohet që faktorë të caktuar rajonalë e mbështesin kalimin e projektit rus South Stream si alternativë e projektit perëndimor TAP. Pra, siç shihet, është gjendur vendi i duhur për të eksploduar një krizë që do t’i implikonte shumë aspekte politike, etnike, ekonomike e gjeopolitike”, është shprehur Bashkurti.

Ai ka përshëndetur qëndrimin e Shqipërisë dhe Kosovës karshi këtyre ngjarjeve, duke thënë se maturia diplomatike e Tiranës dhe e Prishtinës kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Sipas tij, reagimet më të ashpra të këtyre dy vendeve do të sillnin pasoja.

“Në raste krizash të errëta, kur aludohet për implikime shqiptare nga shërbimet, strukturat apo agjencitë e ndryshme, maturiteti dhe vetëpërmbajtja janë rrugët më të mira dhe më të drejta diplomatike. Një reagim më i fortë e më i ashpër do të sillte dy pasoja jo të mira: së pari, do t’u jepte arsyetim aludimeve antishqiptare; së dyti, do të mund ta shndërronte këtë vatër të izoluar konflikti në përplasje të gjerë rajonale”, ka deklaruar Bashkurti.

Lidhur me mundësinë e përshkallëzimit të kësaj krize, ai ka thënë se në Ballkanin Perëndimor ka më shumë forca paqedashëse dhe demokratike sesa forca destruktive luftëdashëse dhe antidemokratike.

“Në Ballkanin Perëndimor dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, janë të vendosura t’i qëndrojnë bashkëpunimit ndërmjet tyre në mbështetje të plotë të parimeve e vlerave demokratike dhe euroatlantike në rajon. Shqipëria dhe Kosova mendoj se janë dy shtyllat më të qëndrueshme të investimit perëndimor në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Bashkurti.

ME TE LEXUARAT