Meta: Mbrojtja e të dhënave është pjesë e reformës për drejtësi, liri dhe siguri

Politikë

meta rapoKryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Takimin e 17-të të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Evropës Qendrore dhe Lindore-CEEDPA. Të pranishëm në këtë takim ishin  Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e  të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, Ministrja e Inovacionit dhe e Administratës Publike, znj. Milena Harito dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Hollandës znj. Van De Weerd.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta vlerësoi zhvillimin e këtij takimi në vendin tonë, një vend i cili po bën përpjekje të gjithanshme për të forcuar shtetin e së drejtës duke garantuar liritë dhe të drejtat thelbësore kushtetuese të individit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Njëkohësisht dua t’ju shpreh z. Komisioner, si qytetar, por edhe si Kryetar i Kuvendit, vlerësimin e hapave shumë thelbësore në mbrojtjes e të drejtës personale dhe respektimin e privatësisë, si të drejta themelore kushtetuese, të cilat shpesh herë shfaqen kaq vulnerabël dhe të cenueshme, pasi janë pjesë e përditshme e jona dhe e veprimeve tona të shumta, jo vetëm si qytetar, por edhe si zyrtar”, tha z. Meta.

Ilir Meta tha se ky takim zhvillohet në kohën dhe vendin e duhur, pasi Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është në fazën e progresit të tij institucional dhe ligjor. “Vetëm gjatë vitit të kaluar ky institucion i pavarur ka ndërmarrë procese ligjore të rëndësishme përmes amendimeve ligjore për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare dhe një sërë zhvillimesh institucionale të cilat i kanë dhënë një shtysë misionit të tij për mbrojtjen e të drejtave. Kuvendi i Shqipërisë, jo më larg se dy javë më parë, ka shqyrtuar raportin vjetor të Komisionerit, ku ka vlerësuar zhvillimin institucional të tij në shtimin e kontrolleve dhe masave të tjera të ndërmarra si dhe për bashkëpunimin me institucione të tjera ligjzbatuese, pa lënë pas dhe ndërgjegjësimin e mëtejshëm të kulturës së ligjit dhe të zbatimit të tij”, tha z. Meta duke shtuar se amendimi i ligjit për të dhënat personale dhe përfshirja e ligjit të ri për të drejtën e informimit, i kanë shtuar Komisionerit përgjegjësitë për të balancuar dy të drejtat kaq thelbësore e të njohura botërisht, atë të së drejtës të informimit dhe të së drejtës së privatësisë.

“Pikërisht balancimi i këtyre dy të drejtave dhe garantimi i tyre në secilën fushë të së drejtës janë sfidat që Komisioneri ynë ka në vijim të punës së tij. Ne kemi pritmëri që komisioneri do të përmbushë objektivat e tij në kuadrin gjithëpërfshirës pasi ai është pjesë e “road map” ku Qeveria shqiptare ka angazhuar të gjithë institucionet publike për të ndërmarrë hapat e nevojshme me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mbrojtja e të dhënave është pjesë e reformës për drejtësi, liri dhe siguri. Një reformë që përfshin një sërë angazhimesh të rëndësishme, të cilat i raportohen periodikisht Komisionit Evropian. Ashtu sikurse Bashkimit Evropian, përmes institucioneve dhe insistimeve të tij ligjore, detyron shtetet anëtare të garantojnë mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave sensitive të qytetarëve. Po kështu, dhe çdo vend tjetër në hapësirën evropiane, duhet të demonstrojë angazhimin serioz në zbatimin e të njëjtave standarde dhe rregullave të lojës në terren”, tha z. Meta. Kryetari i Kuvendit theksoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet që të mundësohet  që subjektet e “data-protection” të jenë të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre dhe nga ana tjetër edhe kontrollorët që procesojnë të dhënat e subjekteve të jenë të ndërgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësitë e tyre.

“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë punën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me qëllim rritjen e Kulturës së Mbrojtjes së të dhënave personale duke ofruar më shumë kapacitete, buxhete të mjaftueshëm dhe pavarësinë e duhur në hierarkinë e institucioneve të pavarura. Tashmë, në pesëvjeçarin e dytë të krijimit të tij, i pajisur me një sërë kompetencash ligjore të shtuara sëfundmi, e konsiderojnë institucionin e Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si një institucion të maturuar për të avancuar në mënyrë të prekshme në fushën e të drejtës personale”, tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij të mbajtur në këtë takim, Kryetari i Kuvendit deklaroi se risqet që sjellin axhendat e ndryshme dixhitale dhe progresi i teknologjive të reja, si të informacionit online dhe medias, por edhe në sektorë të tjerë të zhvillimit shtetëror si ata financiar apo të tregjeve e të shkëmbimit të informacionit bankar, ngrenë shqetësimin serioz për nevojën e platformave të përbashkëta për të siguruar që kjo e drejtë themeltare kushtetuese e qytetarëve të mos cenohet. “Kuvendi inkurajon orientimin e funksionimit të këtij institucioni drejt harmonizimit të plotë me standardet dhe kuadrin ligjor evropian dhe konsolidimin e parametrave të nevojshëm ligjor që kërkon stadi aktual i zhvillimit të këtyre risqeve në fushën e së drejtës së të dhënave personale.

Çdo diskutim që do të zhvillohet sot në këtë forum duhet përkthyer në masa të mëtejshme ligjore për t’u ndërmarrë për vetë rëndësinë që ka në kontinentin tonë kjo fushë e të drejtave të njeriut dhe fokusi i veçantë që ka në axhendën evropiane të Shqipërisë”, tha z. Meta, ndërsa shprehu besimin se ky shkëmbim eksperiencash do të ndikojë në forcimin e bashkëpunimin mes autoriteteve në funksion të ngritjes së nivelit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në secilin prej vendeve dhe në shërbim të çdo qytetari që jeton në hapësirën e Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Mendoj që është një mesazh kuptimplotë fakti që diskutohet për një çështje kaq të rëndësishme që dikur në Evropën Qendrore dhe Lindore mohohej, në vendin që dikur ishte vendi më i izoluar i Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo tregon dhe progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria, që ka bërë kjo pjesë e Evropës tashmë që i është bashkuar të gjithë kontinentit”, theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e  të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi tha se Autoriteti shqiptar i konsideron diskutimet, eksperiencën dhe vendimmarrjen e këtij takimi si një vlerë të shtuar në objektivat e përbashkëta të vendeve. Z. Dervishi siguroi që Zyra e Komisionerit të Shqipërisë kërkon që me veprimtarinë e saj të qëndrojë në standardin e vendeve me një praktikë të konsoliduar.

“Zyra është e angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, në dhënien  e opinioneve për aktet normative, ndërgjegjësimin e individëve për të garantuar të drejtën kushtetuese të mbrojtjes së të dhënave personale, në administrimin e kërkesave në rritje në kryerjen inspektimeve me tematika të caktuara kontrolluese që veprojnë në fusha sensitive dhe me ndjeshmëri të lartë si dhe në rekomandime edhe unifikuese për masat që duhen marrë në sektorë të veçantë dhe në sanksione edhe administrative”, tha z. Dervishi.

Ministrja e Inovacionit dhe e Administratës Publike, znj. Milena Harito tha se rritja e ekonomike e pritshme në tregun unik evropian kushtëzohet nga adresimi i duhur i çështjes së privatësisë i cili mbetet një shqetësim i rëndësishëm tek të gjithë qytetarët evropianë sipas anketave.

“Shqetësimet e qytetarëve të BE-së janë që nga të dhënat bankare tek të dhënat mbi familjen etj. Pra, adresimi i këtij shqetësimi pa bllokuar rritjen është sfida që na pret të gjithëve dhe sigurisht që Shqipëria nuk mund të ecë e vetme në këtë drejtim. Implementimi i drejtë i zgjidhjeve për këtë siguri në nivel kombëtar dhe më gjerë kërkon nisma të përbashkëta nga të gjitha palët e përfshira, publike, private, kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha znj. Harito.

ME TE LEXUARAT