Ekonomia

Banka e Shqipërisë: S`ndryshon norma e interesit, rritje ekonomike në 2015

sejkoKëshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori sot në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.00%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot në një konferencë mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se, “rritja ekonomike e vitit 2015 parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar”. Sejko shtoi se, “ambienti i brendshëm dhe i jashtëm ekonomik ka gjeneruar presione të ulëta inflacioniste”.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, inflacioni vjetor rezultoi 1.3% në muajin janar, duke shënuar rritje në krahasim me vlerën e regjistruar në muajin dhjetor. Luhatjet e inflacionit gjatë dy muajve të fundit janë përcaktuar kryesisht nga luhatjet e çmimeve të ushqimeve. Rënia e inflacionit të ushqimeve në muajin dhjetor dhe rritja e tij në muajin janar është ndikuar nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar dhe nga ecuria e prodhimit vendas. Paralelisht me to, efekt rënës në inflacion ka dhënë edhe reduktimi i çmimeve të naftës. Çmimet e kategorive të tjera të mallrave të konsumit nuk kanë shfaqur ndryshime të rëndësishme. Rritja e inflacionit në muajin janar ishte në linjë me parashikimet tona, por inflacioni vazhdon të mbetet ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë”, tha Sejko.

Guvernatori theksoi se, “Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të vijnë në rritje graduale dhe inflacioni do të kthehet në objektiv brenda periudhës afatmesme. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të mbetet nën objektiv për pjesën më të madhe të këtij horizonti kohor. Ecuria e tij do të vazhdojë të përcaktohet nga shkalla e rikuperimit të rritjes ekonomike, nga goditjet e brendshme dhe të jashtme të ofertës, si dhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë e financiarë për inflacionin”.

Ekonomia shqiptare, shtoi Sejko, “vlerësohet të ketë shënuar përmirësim gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia u rrit me 1.4% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Pritjet tona janë për ritme më të larta rritjeje në tremujorin e katërt, të mbështetura nga stimuli i fortë fiskal i kësaj periudhe”.

Sipas Guvernatorit Sejko, “dëmet e shkaktuara nga përmbytja në zonën jugore të vendit kanë kërkuar një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona për rritjen ekonomike të vitit 2015. Megjithatë, ndikimi i tyre pritet të jetë i përkohshëm dhe ekonomia projektohet të qëndrojë në një trend rritës në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike e vitit 2015 parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e sektorit privat, ndërkohë që kërkesa e huaj pritet të ketë një rol të vogël pozitiv dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal pritet të vijë në rënie”.

“Ndonëse në rritje, parashikimet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend do të mbetet nën nivelin e tij potencial edhe gjatë vitit 2015, duke diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese. Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivelet relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me to, kërkesa e dobët agregate frenon edhe rritjen e normave të fitimit të biznesit. Në afat të mesëm, përmirësimi i pritur i rritjes ekonomike do të kthejë ekonominë në ekuilibër dhe do të rritë presionet inflacioniste nga ana e kërkesës”, tha Sejko.

Nga ana e ofertës, theksoi Guvernatori Sejko, “rënia e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve të para në tregjet botërore dhe rritja e prodhimit bujqësor vendas vlerësohet të ushtrojnë presione rënëse mbi inflacionin gjatë vitit 2015. Megjithatë, ndikimi i tyre negativ mbi inflacionin pritet të zbehet në vitet në vazhdim”.

Sipas tij, “të njëjtin kah ndikimi do të kenë edhe pritjet për inflacionin. Në afat të shkurtër, agjentët ekonomikë presin nivele të ulëta inflacioni. Ky parashikim nuk inkurajon rritjen e konsumit dhe të investimeve. Gjithashtu, ai tenton të faktorizohet në nivele të ulëta çmimesh në kontratat e të ardhmes, të lidhura midis agjentëve ekonomikë. Me rritjen e inflacionit pritjet për të do të zhvendosen lart”.

“Duke faktorizuar sa më sipër, Banka e Shqipërisë parashikon se – me një mundësi të lartë ndodhjeje – inflacioni do të marrë vlera brenda intervalit 1.8-4.4% pas 4 tremujorëve”, tha Sejko.

“Balanca e rreziqeve rreth parashikimit të inflacionit mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Faktorë rreziku që mund të ndikojnë në rënien e inflacionit janë shkalla më e ulët e rikuperimit të ekonomisë, rënia më e fortë e çmimeve në tregjet botërore dhe materializimi i efekteve të raundit të dytë të rënies së çmimit të naftës në vend. Në anën tjetër, një faktor i cili mund të ndikojë në një rritje më të shpejtë të inflacionit në të ardhmen, është rritja e çmimit të produkteve bujqësore si pasojë e dëmtimit të tokave bujqësore nga përmbytjet”, u shpreh Guvernatori.

Në linjë me këto vlerësime,, nënvizoi Sejko, “politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kah stimulues gjatë periudhës së ardhshme. Stimuli monetar do të mbështesë rikuperimin e kërkesës së brendshme dhe do të sigurojë kthimin e inflacionit në objektiv”.

“Në muajin janar, Banka e Shqipërisë uli në nivelin 2.0% normën bazë të interesit dhe sinjalizoi vazhdimin e një politike të tillë monetare edhe për disa tremujorë në vazhdim. Rritja progresive e stimulit monetar është realizuar nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit, nëpërmjet vazhdimit me kushte të lehtësuara të operacioneve injektuese të likuiditetit, si dhe nëpërmjet informimit të publikut mbi kahun e ardhshëm të politikës monetare. Kjo politikë ka synuar të ulë koston e financimit në ekonomi, në mbështetje të rritjes së kërkesës dhe të kthimit të ekonomisë në ekuilibër. Ajo ka sinjalizuar gjithashtu gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për respektimin e objektivit të saj të inflacionit”, tha Sejko.

Duke pasur parasysh vonesat kohore, problemet strukturore dhe goditjet e ndryshme mbi tregjet financiare dhe aktivitetin ekonomik, Sejko theksoi se, “transmetimi i politikës monetare ka qenë i kënaqshëm, por ende jo i plotë”.

“Stimuli monetar është transmetuar në tregjet financiare, por reagimi i ekonomisë ndaj kushteve më të mira të financimit vazhdon të mbetet i ulët. Politika monetare lehtësuese është reflektuar në uljen e interesit të kredisë në lekë dhe ka ndihmuar në rritjen e vazhdueshme të portofolit të kësaj kredie. Megjithatë, zgjerimi i kredisë mbetet ende i ulët, si pasojë e kërkesës të brishtë për kredi dhe e politikave konservatore të bankave në kredidhënie. Banka e Shqipërisë vlerëson se tregjet dhe agjentët financiarë kanë bilance të shëndosha dhe likuide, por ata vazhdojnë të karakterizohen nga një kujdes i shtuar në ndërmarrjen e investimeve afatgjata”, tha Sejko.

Sipas Guvernatorit Sejko, “në mbyllje të analizës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ai i duhuri dhe vendoi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.0%. Informacioni i ri i marrë në analizë nuk ndryshon vlerësimet tona për gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të tregjeve financiare, si dhe pritjet për zhvillimet e tyre në të ardhmen. Kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3.0% në periudhën afatmesme. Duke gjykuar mbi zhvillimet e pritura dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë natyrën e saj stimuluese, edhe për disa tremujorë në vazhdim”.ATA

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close