Cani: Ndryshimet në ligjin për huamarrjen shtetërore në dobi të ekonomisë

Aktualitet

caniMinistri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi të martën se ndryshimet në ligjin e propozuar nga qeveria për huamarrjen shtetërore janë në dobi të ekonomisë dhe jo maxhorancës. Sqarimi i ministrit të Financave u bë në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ku u diskutua dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”. “Ky ligj nuk thyen kufirin e borxhit, por thjeshton procedurat e marrjes së borxhit. Ne mund të japim llogari dhe informacion çdo 4 muaj në komisionin e Ekonomisë për borxhin”, u shpreh Cani.

Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli në fjalën e tij, theksoi se argumentimet e presidentit nuk janë të mjaftueshme për të mos miratuar ligjin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por ish-ministri i Financave, deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode u shpreh se ligji është antikushtetues, ndërsa kërkoi të mos miratohej ligji pa u ndryshuar kushtetuta. “Opozita mbështet dekretin e Presidentit dhe ligji nuk duhet miratuar pa u ndryshuar Kushtetuta”, deklaroi Bode.

“Do të kemi konsultime me ekspertë vendas dhe të huaj të kontraktuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Zbatimi i ligjit sa më shpejt është në dobi të gjithë ekonomisë shqiptare”, u përgjigj ministri Cani. Ai sqaroi se ndryshimet në ligj nuk prekin nivelin e huamarrjes shtetërore.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ktheu në Kuvend në mesin e muajit janar ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, pasi e cilësoi si antikushtetuese nismën e qeverisë. Në dekretin e kreut të shtetit, ligji numër 181 për marrjen e borxheve apo kredive të qeverisë pas miratimit të Kuvendit, cilësohet nga Presidenti si një veprim që bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Vetë nisma e miratuar nga Kuvendi shkaktoi jo pak debate brenda mazhorancës, e cila shihej si një shmangie e Kushtetutës. Por një zgjidhje që u ofrua nga Kuvendi monitorim bashkë me qeverinë me një komision ad-hoc, pa e votuar huan, u cilësua si e pranueshme, edhe pse nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.

ME TE LEXUARAT