Sport

De Biasi përsërit: Dua pasaportën shqiptare

debiasiKërkesa e Gianni de Biasit për t’u pajisur me pasaportë shqiptare nuk është më vetëm një legjendë mediatike apo e rrjeteve sociale, sepse italiani i përfaqësueses sonë e ka konfirmuar këtë dëshirë të tijën dhe pret përgjigje nga institucionet tona shtetërore.

“Unë kam shprehur një dëshirë timen, pastaj nëse presidenti i republikës apo kryeministri do të ma plotësojnë do të jem shumë i gëzuar dhe do ta mbaj me krenari përkatësinë time me popullin shqiptar”.

Një deklaratë të tillë Gianni de Biasi e ka bërë në fushën stërvitore të Tiranës, në të cilën kishte shkuar për të ndjekur nga afër gjendjen e futbollistëve kandidatë nga kjo skuadër për përfaqësuesen kuqezi.

“Erdha këtu për të vëzhguar dhe për t’u njohur më mirë me mënyrën e punës së skuadrave të kampionatit dhe njëkohësisht për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve kandidatë për ekipin kombëtar. Nesër do të jem tek Partizani dhe më pas edhe tek skuadrat e tjera. E konsideroj këtë një mënyrë për të krijuar lidhje direkte me trajnerët, nëpërmjet të cilëve mund të marr një informacion të detajuar për futbollistët, duke qenë se mundësia për të punuar direkt me ta është e pakët”.

Së fundmi nga Tirana, pjesë e kuqezinjve kanë qenë portieri Frashëri, mbrojtësi Curri dhe mesfushorët Bulku dhe Karabeci. Megjithatë në këtë skuadër ka edhe futbollistë të tjerë si Muzaka, Bakaj apo Taku që synojnë një bluzë kuqezi. Për të gjithë kandidatët De Biasi ka një përgjigje të drejtpërdrejt:

“E kam thënë qysh ditën e parë të ardhjes time këtu se dyert e kombëtares janë të hapura për çdo futbollist, por në këtë moment, ata që synojnë një bluzë kuqezi, duhet të përpiqen t’ia rrëmbejnë atyre që e kanë aktualisht dhe e kanë merituar pasi janë paraqitur shumë mirë. Në këto kushte askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar, por gjithçka do të varet edhe dëmtimet apo pezullimet e futbollistëve që përbëjnë grupin aktual”.

Opinioni ynë sportiv është dëshmitar i një gare mjaft interesante në këtë edicion të kampionatit tonë, fjalët e mira për të cilin nuk i kursen as trajneri i kuqezinjve Gianni de Biasi.

“Tirana është një skuadër e mirë, e organizuar po aq sa edhe rivalet e saj Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani. Janë skuadra që me paraqitjet e tyre e kanë bërë kampionatin shqiptar shumë më të mirë se sezonet e kaluara”.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close